Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se sistemi i drejtësisë në Kosovë ka ngritur shumë pak aktakuza për krimet e panumërta që janë kryer në veri të vendit.
Kështu ka thënë ai gjatë takimin të radhës të Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut.
“Ajo çfarë më duhet të theksoj është se ka shumë informata për krimet vjet dhe sivjet, vjet kur kishim barrikada paramilitare, sivjet kur kishim sulme paramilitare, por këto informata të shumta ndonëse janë shndërruar në hetime të shumta, nuk janë reflektuar në aktakuza të shumta”, është shprehur Kurti.
Sipas tij, edhe atëherë kur ka pasur arrestime dhe akuza, ka pasur lirime në arreste shtëpiake.
“Ka pasur trajtim i cili nuk ka dekurajuar kriminelët. Në anën tjetër një sfidë si Qeveri që e kemi pasur, është fakti që reformat tona kanë përfunduar në Gjykatën Kushtetuese. Nga 16 nëntori i vitit 2022 deri më 2 nëntor të këtij viti, pra një vit minus dy javë, i kemi 10 ligje super të rëndësishme të reformës sonë me të cilin kemi marrë besimin e qytetarëve në shkurt të vitit 2021”, ka theksuar kryeministri.
Tutje, ai ka shtuar se këto ligje ose ngelen të ngujuara në Gjykatën Kushtetuese ose janë rrëzuar apo deformuar.
“Ne të gjithë e dimë, Kuvendi i Kosovës e ka komisionin parlamentar për legjislacion dhe të gjitha çështjet e ligjeve të cilat sponsorizohen nga Qeveria dhe pastaj votohen nga Kuvendi, trajtohen aty; mirëpo kemi një lloj aktivizmi të çuditshëm i cili na i vonon neve reformat dhe humbet kohen e çmuar të popullit të Kosovës”, ka potencuar Albin Kurti.