Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se qeveria e tij është e para që çon mandatin deri në fund dhe që miraton katër buxhete vjetore.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e sotme të qeverisë, ai tutje tha se pagat do të rriten çdo vit.
“Në mbledhjen e sotme si pikë e rendit të ditës e kemi miratimin e ligjit për buxhetin e katërt në këtë mandat për të shënuar rekordin historik si qeveria e parë e cila e çon mandatin deri në fund dhe miraton katër buxhete vjetore. Performanca dhe rritja e buxhetit përgjatë këtyre katër viteve ka qenë si asnjëherë më parë, kemi pasur rritje dyshifrore të të hyrave buxhetore pa ndryshuar asnjë politikë fiskale, gjë që ka mundësuar edhe rritjen e buxhetit pa rritur borxhin publik e pa shkaktuar barrë financiare për gjeneratat e ardhshme”, u shpreh kryeministri.
Shefi i qeverisë më tej tha se nga buxheti i ri, 916.5 milionë euro do të shkojnë për pagat e sektorit publik.
“Për vitin 2025 buxheti projektuar shënon nivelin e 3 miliardë e 608 milionë eurove që është përreth 300 milionë euro, për 8.87 për qind më i lartë se ai në vitin 2024. Nga ky buxhet, 916.5 milionë euro do të shkojnë për pagat e sektorit publik duke përfshirë edhe rritjen e pagave që prezantuam dje ku nga janari pagat rriten për 55 euro për të gjithë punonjësit në sektorin publik, prej korrikut, rritja e pagave bëhet 110 euro për secilin. Kjo e sjell pagën mesatare në sektorin publik për vitin 2025 në 870 euro në muaj bruto. Krahasuar me vitin para pandemik, 2019, kur buxheti për paga kishte qenë 616.9 milionë euro, në vitin 2025, kemi rritje prej 300 milionë euro vetëm për paga apo përkthyer me përqindje 48.5 për qind rritje. Bruto produkti vendor nga viti 2019 deri 2024 është i projektuar të rritet për 46.2 për qind. Pagat 48.5 për qind, bruto produkti vendor 46.2 për qind. Siç kemi thënë, rritja e pagave në qeverinë tonë lidhet me rritjen ekonomike, aq sa rritet ekonomia e produktiviteti do të rriten edhe pagat. Kjo ju jep siguri shërbyesve publikë sepse me neve e dinë që rritje do të kenë çdo vit dhe aq sa rritet ekonomia, ashtu siç e kemi dëshmuar, kjo metodë nënkupton qëndrueshmëri fiskale në afatgjatë”, tha kryeministri.