Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Kurti: Jemi në kontakt me KFOR-in, barrikadat duhet të hiqen menjëherë

Kurti: Jemi në kontakt me KFOR-in, barrikadat duhet të hiqen menjëherë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se barrikadat e “kriminelëve me maska” të ngritura në veri të Kosovës, duhet të hiqen menjëherë.

Për këtë, ai tha se ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, është në kontakt me komandantin e misionit të KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia.

Kurti po ashtu tha se Serbia ka disa ditë që po “e kërcënon Kosovën me agresion”.

“Presidenti dhe kryeministrja e Serbisë bëjnë thirrje për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë. Një mijë ushtarë thonë, duke u thirrur në Rezolutën 1244 (1999) të KS të OKB-së”, shkroi Kurti në Facebook.

Sipas tij, kërkesa e Serbisë, për kthimin e ushtrisë në Kosovë, kërkon që ta kthejë “kohën e [ish-udhëheqësit serb, Sllobodan] Millosheviq” dhe që çështja e Kosovës “të kthehet në OKB dhe sa më larg BE-së”.

“Si reagim ndaj propozimit të BE-së të mbështetur nga Franca e Gjermania [dhe ShBA-ja], duan kthim te KS i OKB-së ku ndodhet vetoja e Rusisë [dhe Kinës]”, tha Kurti, duke iu referuar një plani të propozuar nga Franca dhe Gjermania për zgjidhjen e mospajtimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai kërkoi që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të dënojnë dhunën, që tha se është e orkestruar, duke shtuar se një mosdënim, “do ta inkurajojë Beogradin zyrtar për më shumë nxitje për destabilizim të Kosovës”.   /TV Arbëria

Powered by WordPress