Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se prokurorët e rastit janë njoftuar se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti s’mund të ishte i pranishëm sot për intervistim pranë Prokurorisë Speciale, për shkak të agjendës së tij jashtë vendit.
Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu tha se Kurti është shprehur i gatshëm që t’i mirëpres në zyrë prokurorët e rastit për ta intervistuar atë, në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dyja palët.
“Prokuroria Speciale, përkatësisht prokurorët e rastit janë njoftuar se për shkak që kryeministri është jashtë vendit me agjendë të konfirmuar kohë më parë, ai nuk mund të jetë i pranishëm sot sipas ftesës së prokurorisë. Megjithëkëtë, kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpres prokurorët e rastit në zyren e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë për Reporteri.net.
I pari i qeverisë, ani pse sot në ora 09:30 i duhej të paraqitej pranë Prokurorisë Speciale në cilësinë e dëshmitarit, një gjë e tillë s’ndododhi.
Prokuroria Speciale bëri të ditur se ata ishin njoftuar se Kurti ndodhej jashtë vendit, dhe paraqitja e tij ishte e pamundur.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi tha sot para gazetarëve, se ende s’është caktuar një datë e re për ftesë për intervistim ndaj Kurtit.
“Siç jeni në dijeni, Prokuroria Speciale përmes thirrjes së rregullt e ka ftuar kryeministrin Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit në një rast penal ku kjo Prokurori e ka nën hetim. Sot nga kabineti i kryeministrit Kurti, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është informuar se kryeministri Kurti gjendet në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet sot në Prokurorinë Speciale. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, konform legjislacionit në fuqi do ta përgatis një ftesë tjetër për kryeministrin Kurti për një datë tjetër”, tha Kozmaqi para gazetarëve.
Ftesa në cilësinë e dëshmitarit nga Prokuroria Speciale, shkoi në Qeverinë e Kosovës të enjten e 12 dhjetorit, ku zëdhënësi Përparim Kryeziu e cilësoi si tentim për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.
Lidhur me këtë thirrje të Prokurorisë Speciale, kreu i qeverisë s’është deklaruar, ndërsa këto ditë ai pati disa vizita zyrtare në Kroaci të premten, dhe Slloveni të shtunën dhe të dielën.
Sipas numrit të lëndës në dokumentin e thirrjes nga Prokuroria Speciale të publikuar nga zëdhënësi Kryeziu të enjten e kaluar, Kurti i ftuar në cilësinë e dëshmitarit, do të intervisohet për skandalin me Rezervat Shtetërore dhe se vepra penale për të cilën është ftuar hynë tek ato të korrupsionit zyrtar, saktësisht Neni 414 “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.