Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kurti: ‘Exit poll-et’për Mitrovicën e Jugut duhet të hetohen /Ftoj organet që të merren me çështjen

Kurti: ‘Exit poll-et’për Mitrovicën e Jugut duhet të hetohen /Ftoj organet që të merren me çështjen

Kryeministri në detyrë dhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se raportimet e djeshme për komunën e Mitrovicës së Jugut lidhur me rezultatet zgjedhore duhet të hetohen. Sipas tij, në exit poll-t e prezantuara dhe në raportimet për fituesit para mbylljes së vendvotimeve, nuk bëhet fjalë për gabime, por për ndërhyrje flagrante në procesin zgjedhor.

Kurti madje kërkoi që organet e sigurisë dhe të drejtësisë të merren me këtë çështje. Ai ka theksuar se veprimet e tilla janë një kërcënim për demokracinë dhe zgjedhjet e lira.

“Ajo që ndodhi më 12 tetor rreth raportimeve për Mitrovicën duhet të hetohet dhe hulumtohet. Nuk bëhet fjalë vetëm për gabime, por për një inxhinierim të paramenduar, për ndërhyrje flagrante në procesin zgjedhor. Exit poll-t e prezantuara gabimisht, me 16% dallim dhe më shumë se një organizatë që ka raportuar të njëjtën komunë, si dhe postimi i lajmeve të rreme për fituesin, ende pa u mbyllur vendvotimet, nuk janë thjesht gabime. Ato janë cenim i demokracisë, i zgjedhjeve të lira dhe i integritetit dhe sigurisë së shtetit tonë. I ftoj organet e sigurisë dhe drejtësisë të merren me këtë çështje,” tha ai.