Kryeministri Albin Kurti e ka pritur në takim deputetin shqiptar në parlamentin suedez, Adnan Dibranin.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, mirëpriti sot deputetin shqiptar të parlamentit suedez, Adnan Dibranin dhe Arbër Gashin, aktualisht i përfshirë në qeverisje lokale në Suedi dhe i cili është në pritje të bëhet deputet në parlamentin suedez në rast të zgjedhjes së Adnan Dibranit në Parlamentin Evropian. Ata po shoqëroheshin nga Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund”, njoftoi Zyra e Kryeministrit.
Bashkëpunimi me diasporën, roli i tyre dhe ndërlidhja me vendin, si edhe anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës, ishin temat qendrore të takimit, siç njofton ZKM.
“Pas suksesit në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci, me 16 prill, aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do t’i nënshtrohet votës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Kryeministri Kurti falënderoi Suedinë për mbështetjen e vazhdueshme dhe deputetët suedezë për angazhimin e tyre në kandidaturën e Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme. Adnan Dibrani është njëri nga deputetët, që përfaqëson Suedinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, thuhet në njoftim.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës po vazhdon me angazhimin intensiv në sigurimin e mbështetjes për votim të suksesshëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe për përfshirje në agjendë dhe votim të suksesshëm në Ministerialin e Këshillit të Evropës në muajin maj. Gjatë takimit u diskutua edhe për zgjedhjet evropiane, që do të mbahen në qershor të këtij viti dhe për rëndësinë e pjesëmarrjes sa më të madhe të diasporës shqiptare në këto të zgjedhje”, thuhet tutje në njoftimin e ZKM-së.
Deputeti Dibrani dhe Gashi, siç njofton Zyra e Kryeministrit, “u shprehën mirënjohës për mikpritjen dhe takimin dhe shprehën gatishmërinë e tyre për bashkëpunim edhe më të ngushtë përgjatë procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, por jo vetëm”.