Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > Kurti e Bislimi nesër në konferencë, pritet të flasin për takimin e fundit në Bruksel

Kurti e Bislimi nesër në konferencë, pritet të flasin për takimin e fundit në Bruksel

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, nesër do të mbajnë konferencë për media, në të cilën pritet të japin detaje për takimin e 14 shtatorit në Bruksel.

Konferenca do të mbahet nesër në ndërtesën e Qeverisë, duke filluar nga ora 10:30.

Të enjten në Bruksel janë takuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, mirëpo pa arritur një rezultat për zbatimin e marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi.

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se takimi në Bruksel s’ka pasur asnjë rezultat për shkak të kushtëzimit të Serbisë për themelimin e Asociacionit, para zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.

Pas takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, kreu qeveritar tha se gjatë këtij takimi ka propozuar plan të qartë për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes bazë, ndërkaq pas takimit nga ndërmjetësit e dialogut iu është dhënë një dokument dy faqësh të para, gjashtë muajsh, i cili nuk flet për zbatim të marrëveshjes, por kushtëzim të saj me themelimin e Asociacionit.

Për një dokument të tillë, Kurti tha se nuk ka qenë në dijeni, derisa kritikoi lehtësuesin e dialogut, Miroslav Lajçak se ka cenuar rolin e tij në dialog duke pranuar një kushtëzim të tillë para dakordimit të marrëveshjes së Ohrit.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se nuk është i gatshëm të ecë përpara për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

/TV Arbëria

Powered by WordPress