Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kurti: “duhet t’i besojmë Gjykatës Kushtetuese për gjuhën shqipe në Maqedoni të Veriut”, Edi Rama: “çka shqipja ka fituar si të drejtë qytetarie në Maqedoninë e Veriut nuk është çështje e Gjykatës Kushtetuese”.

Kurti: “duhet t’i besojmë Gjykatës Kushtetuese për gjuhën shqipe në Maqedoni të Veriut”, Edi Rama: “çka shqipja ka fituar si të drejtë qytetarie në Maqedoninë e Veriut nuk është çështje e Gjykatës Kushtetuese”.

Gjatë ditë së sotme ishte paraparë që Gjykata Kushtetuese në Maqedoni të Veriut, ta trajtonte Ligjin për gjuhët në këtë shtet, i cili ishte miratuar në vitin 2018, por kishte hyrë në fuqi një vit më vonë. Ky Ligj e adresonte një përdorim të të zgjeruar të gjuhës shqipe, “dhe e përmend atë në mënyrë specifike në nenin 2”, ku edhe parashihej “përdorimi i gjuhës shqipe edhe në procese gjyqësore, në bankënota dhe në uniforma policore”.

Ndaj këtij avancimi atëbotë ishte kundër partia VMRO-DPMNE duke e bojkotuar seancën e plenare.

Ky zhvillim ka nxitur alarmin se me suspendimin e disa neneve të këtij ligji po tentohet të kufizohet përdorimi i gjuhës shqipe në disa institucione si në procedura gjyqësore etj. Ndaj këtij skenari para pak dite kanë reaguar mbi 250 intelektualë shqiptarë, të cilët me anë të një letre të hapur i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese që të veprojë me profesionalizëm dhe jo me vendime të motivuara politikisht, sepse siç thonë, “vendimet arbitrare mund të sjellin pasoja të rënda në marrëdhëniet ndëretnike”. Ata kanë përkujtuar se e kaluara e punës së Gjykatës Kushtetuese ka shkaktuar “tensione dhe pakënaqësi, sa herë që ka marrë vendime të njëanshme dhe arbitrare, të cilat kanë sjellë pasoja të rënda në marrëdhëniet ndëretnike dhe kanë cenuar të drejtat kombëtare të shqiptarëve për barazi dhe drejtësi, të realizuara përmes rrugëve institucionale”.

Ndërkohë, partia kryesore opozitare BDI në taborin e shqiptareve ka tërhequr vërejtjen mbi sjelljet sistematike të partisë në pushtet VMRO-DPMNE ndaj të drejtave gjuhësore të shqiptareve. Dhe ka paralajmëruar se veprime të tilla mund ta tensionojnë situatën në një drejtim të pakthyeshëm

Indiferentë për këto zhvillime nuk kanë qëndruar as kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ai Shqipërisë Edi Rama. I pari gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, pas takimit të dy qeverive, kishte deklaruar se “duhet t’i besohet punës profesionale të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut”.

Ndërkohë. një qëndrim krejt tjetër sot ka artikualur kryeministri Edi Rama. Ky i fundi ka shkruar,se “Unë nuk them që ata që besojnë në Gjykatën Kushtetuese të vendeve të tjera e kanë gabim, por unë mendoj se çka shqipja ka fituar si të drejtë qytetarie në Maqedoninë e Veriut nuk është çështje e Gjykatës Kushtetuese, nuk është çështje e ligjeve apo vullneteve të përkohshme të partive politike.” Sipas shefit të Qeverisë shqiptare, “ gjuha shqipe në Maqedoninë e veriut është një çështje e materies që ka ndihmuar në mënyrë të jashtëzakonshme që jo vetëm të mbajë bashkë Maqedoninë e Veriut, por edhe të ushqejë një frymë dhe një mënyrë të parit të bashkëjetesës mes dy popujve shtetformues të Maqedonisë së veriut, maqedonasve dhe shqiptarëve”