Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic shpreson që dinari si valutë monetare e Serbisë nuk do të largohet nga Kosova, si dhe transaksionet e pagesave mes Serbisë e Kosovës të mos anulohen.
Ajo ka thënë se tentativat e kryeministrit Kurti për të larguar dinarin, vetëm përkeqësojnë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe nuk ndihmojnë asgjë në këtë proces.
“Ky, siç tha presidenti Vuçiq, është një nga problemet kyçe jo vetëm për procesin e mëtutjeshëm të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por në përgjithësi për ekzistencën e ndonjë dialogu. Nëse gjëra të tilla si heqja e transaksioneve të pagesave dhe heqja e dinarëve ndodhin, atëherë Kurti me të vërtetë i vë të gjitha kartat në vijën se nuk do të ketë më dialog”, është shprehur ajo.
Brnabiq përkujtoi se presidenti serb Aleksandar Vuçiq pati një takim në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos me James O’Brien, Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, i cili, siç thotë ajo, është shumë i rëndësishëm për Serbinë dhe për këtë takim do të flasë më shumë vetë Presidenti.
Ajo vlerësoi se është shumë e rëndësishme që vendi të ketë bisedime të hapura me partnerët e tij, duke shtuar se i takon SHBA-së dhe vendeve të tjera të sigurojnë stabilitet në rajon dhe se absolutisht nuk kanë nevojë për një konflikt tjetër në kontinentin evropian.
“Paqja dhe stabiliteti janë në interesin tonë kombëtar. Serbia arrin rezultate të mëdha kur bëhet fjalë për përparimin dhe zhvillimin ekonomik. Paqja është parakusht për të gjitha këto”, tha Brnabiq.
Nga ana tjetër, sipas saj, Albin Kurti po bën gjithçka për të destabilizuar situatën në këtë fushë.
“Në fund të fundit, Albin Kurti është dikush që shkaktoi eksodin e popullit shqiptar dhe nuk shoh se ai është i shqetësuar për këtë. Një fanatik i tillë nuk është i mirë as për serbët, as për shqiptarët”, theksoi Brnabiq.
Siç thotë ajo, Beogradi zyrtar do të vazhdojë të luftojë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, si dhe për interesat e popullit serb në Kosovë.
Ajo ka theksuar se Serbia ka mbështetjen e popullit serb në Kosovë, por edhe të Listës Serbe, dhe ka shpresuar se nuk do të ketë anulime të transaksioneve të pagesave