Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kurti diskuton me O’Brien sulmin terrorist ndaj infrastrukturës kritike dhe rrezikun nga Radoiçiq

Kurti diskuton me O’Brien sulmin terrorist ndaj infrastrukturës kritike dhe rrezikun nga Radoiçiq

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim në Ambasadën e Kosovës në Belgjikë me Ndihmës Sekretarin për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan, James C. O’Brien.

Sipas zyrës së kryeministrit, gjatë këtij takimi, u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet e fundit me interes të përbashkët, me theks të sulmit terrorist të 29 nëntorit ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës.

Kurti ndau me O’Brien detajet e sulmit, që rrezikoi furnizimin me energji elektrike dhe ujë për gjysmën e popullsisë, dhe theksoi reagimin e shpejtë të institucioneve shtetërore për sanimin e dëmeve.Ai po ashtu përmendi konfiskimin e armatimit, municioneve dhe 74 emblema ushtarake, përfshirë 20 të atyre të njësive ushtarake ruse, që u gjetën gjatë hetimeve.

Kryeministri theksoi se ky sulm ishte i treti në tri ditë dhe përbën një kërcënim të madh për sigurinë kombëtare. Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e arrestimit dhe ekstradimit të Millan Radoiçiq, kryekriminelit dhe kryeterroristit të përfshirë në këto sulme, i cili vazhdon të jetë një rrezik për sigurinë e Kosovës dhe rajonit.

Kurti falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetje në hetimin e sulmit dhe angazhimin për drejtësinë në këtë çështje.