Kjo javë shihet afati kur Kosova dhe Serbia duhet ta bëjnë hapin kyç në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, duke pranuar disa kërkesa dhe propozime që ua kanë paraqitur të shtunën pesë emisarë të lartë perëndimorë.
Kështu pohojnë burimet diplomatike të REL-it në BE, por pa dhënë hollësi se cilat janë propozimet konkrete që u janë prezantuar kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Megjithatë, thonë se “afati për t’u deklaruar nuk është i gjatë, është shumë i shkurtër, më së largu deri të enjten, kur në Bruksel takohen shefat e shteteve ose qeverive të BE-së në Samitin e Këshillit Evropian”.
Në një komunikatë të Qeverisë së Kosovës u tha se “të pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara, për çfarë kryeministri shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij”.
As aty nuk u dhanë detaje se për çfarë plani bëhet fjalë.
Sipas komunikatës, Kurti tha se prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Kosovën është siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit.
Kurti edhe Vuçiqi pritet të jenë në Bruksel të enjten dhe, nëse do të ketë përparim nga ta, atëherë në konkluzat e Samitit të BE-së pritet të përfshihet një porosi për Kosovën dhe Serbinë dhe procesin e dialogut.
Disa burime diplomatike në Bruksel thonë për Radion Evropa e Lirë se kërkesat për Kosovën kanë të bëjnë me pranimin e një drafti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa ato për Serbinë me respektimin pa kushte të obligimeve nga aneksi i pranuar në Ohër për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Të shtunën, në Prishtinë dhe Beograd qëndruan përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, përfaqësuesi i lartë i Francës Emanuel Bonne, i Gjermanisë Jens Plotner dhe i Italisë, Alessandro Cattaneo.
Temë diskutimi ishte vazhdimi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Përfaqësuesit e dy vendeve janë takuar për herë të fundit më 14 shtator, por pa ndonjë përparim.
Dhjetë ditë pas ka ndodhur sulmi një Banjskë, kur grupe të armatosura kanë sulmuar policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter.
Kosova ka bërë përgjegjëse Serbinë për këtë sulm dhe ka thënë se nuk do t’u kthehet bisedimeve pa u ndëshkuar shteti fqinj.
Serbia e ka mohuar përfshirjen dhe ka thënë se është duke e hetuar sulmin edhe vetë.
Situata në Kosovë dhe bisedimet e saj me Serbinë janë temë diskutimi edhe në takimin e sotëm të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian në Luksemburg.
Për këtë pritet të flasë përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.
Ministrat pritet të njihen edhe me vizitën që pesë përfaqësuesit e lartë perëndimorë kanë zhvilluar në Kosovë dhe Serbi.
Gjatë kësaj jave, edhe vetë Lajçaku pritet t’i njoftojë përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për përparimin në këtë proces.
Situata në Kosovë dhe normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi ka qenë, po ashtu, temë e diskutimeve në samitin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, që është zhvilluar të premten.
Si SHBA-ja, ashtu edhe BE-ja kanë bërë thirrje për zbatimin “e shpejtë dhe pa kushte” të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe për kthimin e palëve në dialog.
Kosova dhe Serbia janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2011. Ndonëse kanë arritur dhjetëra marrëveshje, shumë prej tyre kanë mbetur pa u zbatuar.
Ndër pikat më të nxehta të dialogut është Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
E arritur në vitin 2013, ajo nuk është zbatuar kurrë, pasi zyrtarët në Prishtinë kanë shprehur shqetësime se kompetencat e gjera për këtë asociacion, do të mund të ndikonin negativisht në funksionalitetin e shtetit.
Por, nga SHBA-ja kanë porositur Kosovën se themelimi i këtij asociacioni duhet të jetë ndër hapat e parë që duhet t’i bëjë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
/TV Arbëria