Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kurti dhe Escobar diskutuan për takimin e nesërm në Ohër

Kurti dhe Escobar diskutuan për takimin e nesërm në Ohër

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, një ditë para takimit të radhës të nivelit të lartë politik në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, priti në Prishtinë, Zëvendës ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Bashkë me Escobar dhe ekipin e tij në takim ishte edhe zëvendësambasadorja e ShBA-ve në Kosovë, Alyson Grunder.

Sipas një komunikate të Qeverisë, në këtë takim është diskutuar për takimin e nesërm në Ohër të Maqedonisë së Veriut, për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë bazuar në propozimin Evropian, përgatitjet rreth tij dhe pritjet nga ai takim.

“Ai falënderoi Escobar për angazhimin dhe kontributin e tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog. Propozimi Evropian është cilësuar dhe pranuar nga Kosova si bazë e mirë dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër. Të përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ, delegacioni qeveritar i Kosovës udhëton për në Ohër me vullnet të mirë, qëllime të mira dhe besim të mirë”, thuhet në komunikatë.

/TV Arbëria

Powered by WordPress