Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës në 25 vjetorin e Betejës së Koshares, ka thënë se shembja e kufirit të padrejtë që ndante Kosovën dhe Shqipërinë, sa strategjike kishte edhe rëndësi historike e kombëtare.
Ai ka folur për sulmet që UÇK-ja i bëri bazave Jugosllavisë.
Ai ka shtuar se politika përfaqësuese dhe aktivizmi shoqëror nuk duhet të shihen të ndara nga historia.
“Respektimi i traditave shoqërore dhe historisë së popullit janë parime dhe praktika shoqërore në kulturën e ndërtimit të një shteti modern. Politika përfaqësuese dhe aktivizmi shoqëror nuk duhet të shihen të ndara nga historia. Në mes të këtij vitit do të përmbushet një çerek shekulli kur vendi ynë u çlirua nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Sot në vigjilje të përvjetorit të 25 të Betejës së Koshares le ta kujtojmë me nderime të merituara këtë betejë. Lufta për shembjen e kufirit kishte rëndësi sa strategjike e operative aq edhe historike e kombëtare. Kur e vizitojmë kompleksin memorial, Beteja e Koshares, e gjejmë edhe Agim Ramadanin nga Zhegra e Gjilanit edhe Sali Çekaj nga Peja”, ka thënë ai.
Kurti është shprehur tutje se derisa në ushtrinë serbe gjendeshin rusë, në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës kishte ushtarë nga Evropa.
“Meqë Beteja e Koshares ishte një luftë e betejës për liri gjejmë dëshmorë edhe nga Italia, Franca e Algjeria. Derisa nga radhët e ushtrisë serbe gjenim ushtarë rusë, në radhët e ushtrisë së UÇK-së gjenim ushtarë nga Evropa dhe jo vetëm”, ka thënë kryeministri.