Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Kurti akuzon Serbinë për lëvizje të ushtrisë afër kufirit me Kosovën, vjen reagimi nga Serbia

Kurti akuzon Serbinë për lëvizje të ushtrisë afër kufirit me Kosovën, vjen reagimi nga Serbia

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti akuzoi Serbinë të shtunën në mbrëmje për afrim të trupave ushtarake rreth 50 metra afër vijës kufitare në komunën e Kamenicës, në lindje të Kosovës, ndërsa Beogradi tha të dielën se trupat vepruan brenda zonës tokësore të sigurisë dhe në pajtim me marrëveshjet ndërkombëtare.

Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, kryeministri Kurti publikoi disa fotografi të forcave serbe duke e cilësuar provokim lëvizjen e trupave afër kufirit.

“Institucionet përkatëse të sigurisë së Republikës së Kosovës kanë detektuar menjëherë këto lëvizje provokuese nga ushtria e Serbisë, të cilat kanë për synim nxitjen e tensioneve. Kur e kanë parë që i kemi vërejtur dhe xhiruar, kanë ikur me shpejtësi e janë larguar për në brendi të territorit të tyre”, shkroi kryeministri Kurti, duke nënvizuar se qeveria e Kosovës “ka bërë investime të paprecedenta në ngritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve të strukturave të inteligjencës, sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë të gatshme për të parandaluar çdo kërcënim ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit tonë”.

Të dielën ministri serbe e Mbrojtjes tha se pohimet e kryeministrit Kurti janë “vazhdimësi e fushatës dezinformuese kundër Forcave të Armatosura të Serbisë dhe forcave të sigurisë” së Serbisë.

Sipas kësaj ministrie “postimi në rrjetet sociale tregon se pjesëtarët e Forcave të Armatosura të Serbisë në Zonën e Sigurisë Tokësore kryejnë detyra të rregullta për sigurimin e vijës administrative dhe kontrollin e zonës së sigurisë tokësore, në përputhje me marrëveshjet ushtarako-teknike dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të nënshkruara”.

Ministria serbe tha se trupat e saj “kanë penguar veprimtaritë e paligjshme të prerjes dhe bartjes së lëndëve drunore në territorin e Kosovës, me ç ‘rast hajdutët e drunjve kanë ikur në Kosovë”.

Vija kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është rreth 350 kilometra e gjatë dhe patrullohet nga forcat paqeruajtëse të NATO-s dhe në afërsi edhe nga forcat e policisë së Kosovës.

Vitin e kaluar NATO-ja shtoi praninë e trupave pas tensioneve që kulmuan me 24 shtator kur një grup serbësh të armatosur sulmoi policinë e Kosovës duke vrarë një oficer policie.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara po u bëjnë trysni të dyja palëve që të zbatojnë marrëveshjen të cilën kryeministri Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe Kurti e arritën në shkurt dhe mars të vitit të kaluar. Marrëveshja përfshin detyrimin e Kosovës për të themeluar një Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe dhe detyrimin e Serbisë të njohë de fakto pavarësinë e Kosovës, të cilën Beogradi ende vazhdon ta kundërshtojë./voa/