Kryeministri Albin Kurt, kryeparlamentari Glauk Konjufca e ministra të kabinetit qeveritar, kanë bërë homazhe pranë varrit të heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku në njëvjetorin e vrasjes së tij.
Nga aty, kryeministri Kurti tha se sakrifica e heroit nuk do të harrohet kurrë, duke shtuar se Bunjaku humbi jetën “duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”.
Kurti tha se rreshteri Afrim Bunjaku ra heroikisht në mbrojtje të paqes dhe sigurisë së vendit.
“Dëshmorët janë dëshmi e orëve të historisë. Në orët e hershme të mëngjesit të 24 shtatorit, rreshteri Afrim Bunjaku ra heroikisht në mbrojtje të sovranitetit shtetëror, në mbrojtje të rendit publik, paqes dhe sigurisë. Kësisoj lartësoi shtetin e Kosovës. Anembanë Kosovës në çdo cep është shteti i Kosovës. Numri i policëve me kadet të rinj po rritet. Morali i policisë dhe ushtrisë tonë kurrë nuk ka qenë më i lartë. Ky flijim i Afrim Bunjakut ja ka vëlejtur për policinë, shtetin dhe gjeneratat e ardhshme. Serbia është përgjegjëse andaj duhet të jap përgjegjësi. Në këtë pikë ne kërkojmë ndihmën e faktorëve ndërkombëtarë”, theksoi i pari i ekzekutivit.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se Afrim Bunjaku do të kujtohet përgjithmonë. Konjufca tha se heroi Afrim Bunjaku është shembulli më i mirë për vetëmohim.
“Afrim Bunjaku ra heroikisht në mbrojtje të sovranitetit. Ai dha shembullin më të vyer se kur atdheu rrezikohet dhe kërcenohet se si duhet të jepet jeta. Ai e la shembullin më të vyet edhe për vëllezërit dhe motrat e tij që janë në Policinë e Kosovës se si duhet të veproj njeriu kur e kërkon shteti”, shtoi ai.
Homazhe kanë bërë edhe disa ambasadorë të akredituar në Kosovë.
Gjithashtu, në këtë delegacion ishte edhe Komandanti i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha dhe disa përfaqësues të Policisë së Kosovës.
Rreshteri Afrim Bunjaku është vrarë më 24 shator të viti të kaluar në Banjskë të Zveçanit nga grupi terrorist i Milan Radoiçiqit. Nga sulmet e grupit terrorist ishin plagosur edhe dy policë tjerë të Kosovës.