Shkruan: Afrim Kasolli
Shqipëria ka ditë që është përfshirë nga një valë e madhe protestash kundër klasës politike. E tëra filloi nga kundërshtimi i banorëve lokal në qytetin e Vlorës kundër një projekti luksoz turistik që thuhet se do të jetë në pronësi të vajzës së Presidentit amerikan, Ivanka Trump dhe dhëndrit të tij Jared Kushner.
Motivet e asaj proteste në zonën u tha se janë të nxitura nga shqetësimet legale për pronat e deri te ato ambientaliste për zonën e Zvërnecit dheSazanit. Kryeministri Edi Rama i shpërfilli këta zëra kundërshtues duke u zotuar se për aq kohë sa ai do të jetë në krye të Qeverisë së shtetit shqiptar ky investim nuk ka gjasa të ndalet. Ndërkohë, para syve të qytetarëve shqiptarë u panë skena brutale se si roje private të një kompanie fantome i kidnaponin qytetaret duke i tërhequr zvarrë, para syve të policisë së shtetit.
Kjo ngjarje i dha zjarr zemërimit të heshtur popullor, i cili siç duket qëndronte i heshtur, por nuk kishte si të kanalizohej nga partitë formale në atë shtet. Me këtë rast, vala e protestave u zhvendos në sheshet e Tiranës , nën formën e një “Revolucioni të Flamingos” simbol i species që rrezikon të zhduket nga tjetërsimi i habitatit të tyre natyror në atë zonë. Kjo ngjarje e ekspozoi dobësinë e Edi Ramës. I njëjti u mundua që këtë “kryengritje civile” ta paraqes si të orkestruar nga qarqe armiqësore të Shqipërisë dhe një konspiracion ndërkombëtar, me theks të veçantë nga Irani.
Personalisht as nuk mund t’i pohoj dhe as t’i mohoj pretendime të tilla. Mirëpo, një gjë nuk mund të anashkalohet, se tashmë Edi Rama është një drejtues shteti pa pushtet. Sepse ky i fundit është i zhvendosur në rrugët e Tiranës, nga një lëvizje pa liderë, pa identitet ideologjik dhe pa përkatësi partiake, kur njerëzit veprojnë thjesht konkretisht se bashku. Natyrisht, Edi Rama nuk është i zhveshur nga çdo lloj pushteti. Ai i ka në dispozicion mekanizmat instrumental të tij, por i është tkurrur modeli i sipër cekur. I tmerruar nga lakuriqësia e tij politike i njëjti ka paralajmëruar se do t’i inicioi “mitingjet e së vërtetës” për ta dëshmuar se vazhdon të mbetet një lider i adhuruar nga populli.
Kuptohet, kjo nuk do të thotë se fundi i Edi Ramës është i afërt. Sepse si është dëshmuar kohën e fundit lëvizjet e tilla pa lider jo domosdoshmërisht rezultojnë me ndryshime radikale. Është e vërtetë se ato shpërthejnë nga frustrimi i gjatë i akumuluar në shoqëri, mirëpo të njëjtat edhe mund të dështojnë.
Carne Ross ka vënë në shkrimin “How to create a leaderless revolution and win lasting political change” ka vënë në pah se një pjesë e mirë e “Pranverës Arabe” e përjetoi këtë fat. Ato e dëshmuan apetitin e shumicës së njerëzve kundër regjimeve autokratike. Por në fund dështuan ta jetësojnë atë. Bie fjala protestuesit në Tahrir Square në Egjipt, nuk ia dolën që ta krijojnë një organizatë demokratike politike për t’i fituar zgjedhjet. Përkundrazi, ky vakum u kompensua Vëllazëria Muslimane, e cila përsëri ngjalli reagime popullore dhe në fund u shtrua rruga që pushtetin ta marr një diktator po aq represiv si Hosni Mubaraku.
Ndonëse në një vend tjetër dhe e nxituar nga motive tjera mund të merret edhe lëvizja “Occupy Qall Street”. Ajo ia doli, vazhdon artikulli në fjalë, që të amplifikojë shqetësimet mbi pabarazitë dhe padrejtësitë ekonomike në qendër të debatit publik, por dështoi të artikulonte në një program politik për ta reformuar sistemin. Madje lirsht mund te thuhet se Donald Trump ka përfituar nga ky zmerërim kundër elitave financiare trans nacionale që ishin adresuar nga kjo lëvizje të majtë.
Në këtë kontekst sot Shqipëria ndodhet në një udhëkryq të tillë. “Revolucioni i Flamingos” po dëshmon se modeli i qeverisjes së Edi Ramës ka shkaktuar pakënaqësi masive. Po ashtu se alternativë nuk është as opozita e Sali Berishës, sepse i njëjti përkundër thirrjes së deri djeshme për protesta masive dështoi ta prodhonte një reagim të tillë kolektiv.
Me këtë rast mundësia e Shqipërisë nuk ka qenë kurrë me e hapur se aktualisht ne këto dekadat e fundit. Se ne çfarë drejtimi dhe nga kush do të orientohet pushteti politik i shtrirë tashmë në rrugët e Tiranës mbetet të shihet.