Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Art > Kur jeta të hedh në kushte ekstreme

Kur jeta të hedh në kushte ekstreme

 

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Thënia e mendimtarit të njohur Martin Heidegger, se qeniet njerëzore janë të hedhura në këtë botë, askujt nuk do t’i shkonte më shumë përshtati, se sa personazhit kryesor të filmit libanez, Capernaum,  Zain El Hajj, me regji të Nadine Labaki. Madje, edhe atë në kushte ekstreme jetësore e në një botë tmerrësisht të padrejtë.

 

Ky rrëfim dramatik fillon me një rast të paprecedent në gjykatore, kur Zaini, një djalosh 12 vjeçar, i rritur në paralagjet (slum) e Bejrutit, ushtron një padi juridike, nëpërmjet avokates së tij Nadin-es (rol ky që luhet nga vetë regjisorja, Nadine Labaki), ndaj prindërve të tij, Selim(Fadi Kamel Youssef ) dhe Souad (Kawthar Al Haddad), se pse e kishin lindur, për ta degdisur në ferrin e kësaj bote. Por Zaini ndodhet në qeli për shkak të tentim vrasjes së dhëndrit të tij, Asad-it (Nour el Husseini). Zaini ishte dënuar për këtë krim me 5 vjet mbajte të burgut. Gjatë procedurave juridike zbulohet se ai as nuk e dinë datën e saktë të lindjes, sepse as që është i regjistruar në regjistrin civil si banor i Libanit. Thjesht është një qenie njerëzore që nuk figuron askund.

 

Ai nuk pajtohet dhe revoltohet ndaj vendimit të prindërve të tij për ta martuar vajzën e tyre 11 vjeçare Sahar-a(Cedra Izam), me pronarin e banesës ku banojnë, nga frika se nëse nuk pajtohen me këtë fakt, do të mbesin pa kulm mbi kokë. Pra tentojnë që “sigurinë” për strehim ta këmbejnë më një krim dhe abuzim ndaj vajzës së tyre të njom.

 

Ndërkohë, për shkak të këtij kundërshtimi, prindërit e Zain-it, në konflikt e sipër e dëbojnë këtë fundit në rrugë. Në këtë gjendje të pashpresë i duhet të mbijetojë. Në kërkim të punës në një park të lojërave takohet më një grua nga Etiopia, e cila po ashtu është pa dokumente legale në Liban, që po ashtu është nënë e një fëmije. Pasi identifikohet nga policia, ajo detyrohet ta braktis atë, nën mëshirën e Zaimit.  Kurse, ky i fundit, në kërkim të ushqimit dhe me këtë barrë të re, takohet me një refugjate siriane të moshës së tij dhe gjatë gjithë kohës e imagjinojnë ditën se kur do të jenë në Suedi. Sepse, në atë vend nuk do t’i nënshtrohen tmerreve dhe padrejtësive që janë duk i përjetuar në Liban. Kjo edhe është arsyeja që kthehet në shtëpi, për t’i marrë dokumentet për tu arratisur nëpërmjet Turqisë për parajsën e ëndërruar.

 

Mirëpo, pasi kthehet, Zaimi e kupton se fillimisht nuk ka asnjë dokument të identitetit si dhe se motra e tij ka vdekur në dyert e spitalit, pas komplikimit të shtatzënisë. Për më shumë ajo as nuk kishte mundur të hospitalizohej, sepse edhe ajo ishte pa asnjë dokument. I zemëruar nga humbja personit më të dashur për të, e për të cilën kishte bërë gjithçka që ta mbronte, ai i vërsulet me thikë atij që e konsideron si fajtor për këtë vdekje tragjike. Për çka edhe arrestohet si dhe dënohet.

 

Mirëpo, ajo që Zainin e nxit më shumë për ta ushtruar padinë e sipër cekur, është edhe biseda që e zhvillon me të ëmën e tij në qendrën e paraburgimit. Ajo i tregon se është përsëri shtatzënë dhe këtë e merr si një bekim nga Zoti që pasi ia kishte marrë Sahar-ën, por që përsëri po i jep diçka në këmbim. E vendimi dhe justifikimi për ta mbajtur këtë fryt është i papranueshëm për Zainin. Sepse qoftë vajzë apo djalë do ta kishte të njëjtin fat. Ai kërkon me çdo kusht që ky abuzim i ardhshëm të ndërpritet. Për të janë neveritëse si arsyetimet e nënës ashtu edhe të Atit të tij, se nuk është fajtor për këtë gjendje. Ai shfajësohet se ishte paracaktuar për ta martuar vajzën tashmë të vdekur më shpresën për ta shpëtuar nga varfëria. Sipas tij, më të, ajo ashtu kështu do të ishte e vdekur, pa shtrat për të fjetur dhe në mungesë të ushqimit gjithmonë e uritur. Madje, ai pohon se as nuk ka dashur kurrë të bëhet prind. Por presioni social se nëse nuk bëhet i tillë nuk do të konsiderohej as burrë e ka detyruar për këtë vendim, që do ta mbronte nga fati i “zhburrërimit”. Pra e konsideron veten si viktimë të thirrjeve se “fëmijët do të bëhen shtylla jote kurrizore”.

 

Kështu, në fund Zaini, kërkon që jehona e fjalëve të tij të dëgjohet anekënd botës, sepse ato paraqesin testamentin më kumbues për “padrejtësitë  kundër fëmijëve”. Pra ai insiston që ato të dëgjohen nga të rriturit. “Të rriturit e paaftë për të rritur fëmijë, të mos bëjnë fëmijë!” Ndër të tjera Zaini pohon, për vete se “Ç’ kujtime do të kem? Dhunë, fyerje ose të rrahura, më zinxhirë, tuba ose rrip? Fjalët me të këndshme që kam dëgjuar kanë qenë Qërohu bir k*rve ! Shporru tutje plehër! Jeta është e ndyrë. Nuk vlen më shumë se këpuca ime. Unë po jetoj në ferr. Po digjem si mish i kalbur. Mendova se do bëheshim njerëz të mirë, se do ta na vlerësonin të gjithë. Por, Zoti nuk e do një gjë të tillë për ne. Ai do që ne te jemi lecka të të tjerëve”. Pra ai Zot, që për nënën e tij shndërrohet në bekim për shkak të shtatzëninë  e re, për Zainin është burim i tmerrit . Hera  e parë, kur e përjeton buzëqeshjen, ndodh për shkak të kërkesës së zyrtarit të burgut për t’u fotografuar për dokumente të identitetit, sepse sipas tij, kjo është një “fotografi pasaporte e jo certifikatë vdekjeje”.

 

Është ky një rrëfim dramatik, që më mirë se asgjë tjetër e ka portretizuar shtypjen e brendshme që e përjetojnë sa e sa fëmijë anë e kënd botës. Sepse, siç ka pohuar regjisorja,  këtij filmi, Nadine Labaki, në “fund të ditës fëmijët janë ata që po e paguajnë një çmim të lartë të konflikteve tona, luftërave tona, sistemeve dhe vendimeve tona të marra. Prandaj, nëse këta fëmijë do të mund të flisnin dhe shprehin vetveten, atëherë çka do të mund të na tregonin ata. Pra çka do t’i thoshin shoqërive që i injoron ata” E këtë vsërtetë të heshtur në shumë vende të botës e pasqyron Zaini. Një dëshmi kjo, se sa kishte të drejtë filozofi gjerman Friedrich Nietzsche, kur shkruante “që njerëzimi duket t’i kthehet lojës dhe fëmijës”.

Themes by WordPress