Shkruan: Afrim Haliti
Hegeli dikur thoshte se në një shtet kushtetues edhe budalla mund të ulet në krye të tij dhe makina shtetërore disi do të vazhdojë të funksionojë. Ajo që Hegeli, as përmes lexuesve të tij, nuk e kishte parashikuar ishte Kosova, ku kjo makinë shtetërore është shndërruar në cirk ku budallenjtë më nuk janë në margjina por në zemër të skenës.
Vetëvendosja, partia që dikur pretendonte të ishte lëvizje filozofike që thirrej në Hegelin, Kantin e Marksin, tash ka zgjedhur si Kryetar të Parlamentit dikë që duket më pak si burrë shteti e më shumë si një i dështuar dhe i papranuar nga Ministria e Shëtitjeve të Budallme tek Monty Pythoni. Ky është triumf i mediokritetit ku të ashtuquajturit filozofë u munden nga kllouni i tyre.
Megjithatë, kjo gjendje skandaloze shtrihet përtej degradimit të Vetëvendosjes. PDK është poshtu bashkëpunëtore në këtë cirk. Në një botë ideale, një opozitë e denjë për rolin e saj do të kishte tërhequr një vijë të kuqe por në vend të kësaj PDK-ja ndihmoi në sjelljen e Dimal Bashës në karrigen e Kryetarit të Kuvendit si bashkpunëtorë të denjë të skenës në këtë far teatri absurd. Duke mbështetur një ndër kandidatët më të dobët, edhe pse ky cilësim është gjithpërfshirës në Vetëvendosjes, PDK-ja me dredhi u bënë marioneta të Albin Kurtit.
Duke vepruar kështu, PDK-ja vërtetoi atë që shumë kush kishte dyshuar: se Kosova nuk ka as qeveri as opozitë, por më tepër një trupë të madhe teatrale që praktikon të njëjtin skeç tragjikomik. Qytetarët këtu janë audiencë e pavullnetshme dhe e detyruar të shikojë e hutuar teksa punët serioze të shtetit reduktohen në sharlatanizëm me partinë në pushtet që vepron si grup kllounësh dhe opozitën që shërben si asistentë duartrokitës.
Në parlamentin e Kosovës, ajo që Hegeli e quante realizim i arsyes në histori, është transformuar në realizim të parodisë ku e vetmja dialektikë që shfaqet është ajo midis marionetave dhe mbajtësit të peve.