Shkruan: Basri Beka
Në prag të zgjedhjeve, çdo vendim institucional po shndërrohet në skenë marketingu politik. Sot, edhe vendimi për rastin e Banjskës u përdor si material elektoral nga pushteti. Ngritje në këmbë, deklarata patetike, duartrokitje ceremoniale — sikur drejtësia u bë pronë partiake dhe jo obligim i shtetit.
Albulena Haxhiu doli me deklarata teatrale për “drejtësinë që përmbyllet kur dorëzohet Radoiçiqi”, sikur vendimi i gjykatës kishte nevojë për vulën emocionale të pushtetit për të pasur peshë. Në vend të seriozitetit institucional, pamë koreografi politike për konsum elektoral.
E vërteta është më e thjeshtë: kur zgjedhjet afrohen, pushteti mundohet ta kapitalizojë çdo tragjedi, çdo vendim gjykate dhe çdo plagë kombëtare për pikë politike. Ndërsa opozita? Si zakonisht, me “dembeli në mendje”, pa narrativë, pa reagim, pa instinkt politik. Dhe kështu pushteti e ka fushën bosh për ta shitur edhe dhimbjen si sukses partiak.
Drejtësia nuk ka nevojë për ovacione parlamentare. Drejtësia ka nevojë për shtet serioz, institucione të forta dhe rezultate reale — jo marketing me gjakun e heronjve dhe plagët e Kosovës.