Shkruan: Afrim Kasolli
Prej se kanë filluar protestat studentore në Serbi kundër regjimit të Aleksandër Vuçiqi-it, nuk ka dyshim se ka munguar një solidaritet i vendeve perëndimore me këtë lëvizje dhe ka vazhduar një mbështetje herë e hapur, e herë e fshehur me kryetarin e Serbisë.
Natyrisht, ka pasur disa deklarata formale veçanërisht nga deputetë të Parlamentit Evropian se mënyra se si shteti serb do t’i trajtojë këto protesta do ta përcaktojnë agjendën e tij integruese evropiane dhe se i kanë bërë thirrje elitës politike në Serbi që t’i marrë në konsideratë kërkesat e tyre. Madje, në këtë drejtim asgjë nuk ka ndryshuar as pas tubimit masiv të mbajtur në Beograd me 15 mars, ku sipas organizatës Aktivi i Tubimeve Publike, pjesëmarrës ishin diku midis 275.000 deri në 325. 000 qytetarë. Shprehje kjo e qartë e pakënaqësisë masive në shtetin serb më natyrën e regjimit në fjalë. Në fund të fundit, edhe Aleksandër Vuçiq, pas përfundimit të këtij manifestimi gjithëpopullor deklaroi “të gjithë njerëzit pushtet duhet ta kuptojnë mesazhin kur mblidhen kaq shumë njerëz. Ne do të duhet të ndryshojmë”.
Analistë të ndryshëm kanë vënë në pah se tragjedia në Novi Sad ky humbën jetën mbi 15 persona, pas shembjes së kulmit në Stacionin Hekurudhor, që ishte riparuar nga kompanitë kineze, ka shërbyer vetëm si Maja e Ajsbergut për atë që ka ndodhur ndër vite në Serbi, se sa që ajo është shkaku i vetëm i këtij trazimi të shoqërisë serbe. Sepse kjo revoltë ka të bëjë edhe modelin politik që e ka instaluar Aleksandër Vuciqi, që nga viti 2014, fillimisht si kryeministër dhe tri vite më pas si president i shtetit.
Mirëpo, shtrohet pyetja se pse edhe pas këtyre dëshmive qarta anti-demokratike të regjimit të Aleksandër Vuçiqit dhe pakënaqësive qytetare përsëri Perëndimi nuk është treguar i ashpër me liderin serb? Madje ka ekzistuar edhe një heshtje ndaj retorikës së tij nacionaliste, që në të vërtetë i minon edhe vetë përpjekjet perëndimorë për stabilitet, paqe dhe siguri rajonale.
Është përmendur fakti se aktualisht opozita në Serbi është fragmentarizuar dhe se as ajo në fund të fundit nuk përfaqëson asnjë alternativë demokratike. Nuk kanë munguar as tezat tjera se në këtë mënyrë diplomacia perëndimore po mëton ta miklojë liderin serb për ta divorcuar nga orbita ruse. Në këtë kontekst, kohë më parë gazeta e njohur amerikane Washington Post, në shkrimin “Politika pajtuese e Bidenit ka dështuar në Serbi” kishte konstatuar se qasja politike e zotit Biden, ishte përqafimi i kryetarit autoritar të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me shpresën për ta detyruar atë që ta ndërronte kursin e tij politik. Mirëpo sot, pas gati më shumë se tri viteve kjo politikë ka dështuar. E tëra kjo sepse, lideri serb, privatisht i kishte siguruar bashkëpunëtorët e tij perëndimorë se është duke bërë të pamundurën për ta integruar kombin e tij të pabindur në kuadër të Bashkimit Evropian dhe ta shndërrojë atë në një partner të besueshëm. Kështu, administrata Biden i bazoi politikat e tij pajtuese duke u bazuar në këto mesazhe private. Po ashtu, nuk kanë munguar as interpretimet se bashkësia ndërkombëtare shpreson se më të mund ta sigurojë një marrëveshje përfundimtare me Kosovën, apo edhe duke e mbajtur atë afër ngase kështu ka shansin që t’i kontrollojë ambiciet seperatiste të serbëve të Bosnjës. Madje, sipas këtij mediumi edhe pse disa kriza të rrezikshme duke përfshirë edhe “atë në vitin e kaluar në veri të Kosovës, dëshmonin gjurmët e gishtërinjve të politikës serbe. E SHBA-të, u përcaktuan për shmangur fajësimin vetëm të njërës palë, dhe duke preferuar thirrjet vetëm për qetësi”.
Ndonëse, këto teza mund të jenë të vërteta, megjithatë arsyet e mirëkuptimit perëndimor në raport me Aleksandër Vuçiq-in mund të jenë tjera. Dhe se shtetet e së parës do ta sakrifikojnë atë jo pse nuk e ka larguar Serbinë nga Rusia, as që i ka mashtruar në raport me Kosovën, por kur ai nuk do të jetë i dobishëm për t’i mirëmbajtur interesat e tyre.
Pra, janë driblimet e tij diplomatike dhe politike qe e kanë bërë atë gjithnjë e më të dobishëm për këto shtete. Ai sot është njëri nga të vetmit politikan në atë shtet që është zotuar për ta plotësuar një pjesë të nevojave ekonomike gjermane për pasuri minerale, sikur për litium, që gjenden në Luginën Jadar. Ndërkohë, ndaj këtij investimi janë zhvilluar protesta masive të përkrahura edhe nga opozita në Serbi me arsyetime ekologjike. Ky material kritik është vital veçanërisht për industrinë automobilistike gjermane e cila po përballet me një konkurrencë të ashpër nga Kina dhe kompania Tesla. Aq po ashpërsohet gara për sigurimin e këtyre materialeve kritike, sa kërkesa globale për to nga viti 2017 deri në vitin 2022 është trefishuar, kurse për kobalt dhe nikel po ashtu është rritur për 70 për qind, përkatësisht 40 për qind. Pa kaluar shumë kohë nga ky transaksion ai nuk la pa e bërë një marrëveshje të tillë edhe me Francën, duke u zotuar për blerjen e aeroplanëve Rafale nga ky shtet me vlerë prej 2.8 miliardë eurove. Edhe në këtë rast nuk kanë munguar tezat se megjithatë investime të tilla perëndimore, fillimisht ekonomike dhe ushtarake janë parakushte për integrimin e këtij shteti në këtë botë. Ndërkohë, vizita e fundit e djalit të presidentit amerikan si dhe investimet e mëhershme të dhëndrit e tij tregojnë se si Aleksandër Vuçiq, po e shndërron vetën në aset politik për investime ekonomike amerikane. E të mos flasim këtu për traktatet strategjike ndërmjet SHBA-së dhe Serbisë në fushën energjetike. Natyrisht, në një botë gjithnjë e më multipolare edhe Kina është shndërruar në njërin nga partnerët kryesor ekonomik të Serbisë. Pra është kjo qasje tranasksionale që i ka siguruar atij ndikim dhe përkrahje si nga rusët, amerikanët, kinezët, Bashkimi Evropian, Turqia e deri te Irani. Në këtë drejtim madje, Aleksandër Vuçiq i ka paraprirë strategjisë aktuale transakasionale dhe bilaterale diplomatike të presidentit amerikan, Donald Trump.
Në këtë kontekst, për aq kohë se ai mbetet adresa e vetme në Serbi në favor të këtyre interesave, nuk pritet që shtetet perëndimore të kenë qëndrim të ashpër më të. Mirëpo, në momentin kur ai dështon t’i realizojë ato për shkak të thellimit të përçarjeve, krizës dhe tensioneve të brendshme, atëherë ai më nuk do të jetë i dobishëm.