Shkruan: Afrim Kasolli
Përurim i projekteve vetëm sa për sy e faqe, por që nuk janë funksionale pas të largohen kamerat, po shndërrohet në model të “investimeve” kapitale të Qeverisë së Albin Kurtit.
Ditë më parë, mediumi Vox Kosova, nëpërmjet një storie dëshmonte sesi Kryeministri Kurti së bashku me vartësit e tij nga kabineti qeveritar në mënyrë pompoze para mediave e patën prerë shiritin e përurimit të tuneleve e 6 dhe 7 për linjën hekurudhore Prishtinë-Han i Elezit. Mirëpo, që nga viti 2023 jo vetëm që këto tunele janë jo funksionale, por asnjë tren nuk ka kaluar në këtë arterie hekurudhore
E njëjta qasje manipuluese i ka shoqëruar edhe pishinat për hidroterapi në Mjekësinë Fizikale. Në dhjetor të vitit 2022, gjatë vizitës së kryeministrit dhe ministrit të Shëndetësisë, ato ishin mbushur me ujë dhe u paraqitën si funksionale vetëm për mashtruar opinionin publik, mirëpo siç e pranoi edhe vetë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ai përurim paska qenë një inskenim, sepse ende ato pishina nuk janë të gatshme për shfrytëzim.
Serinë e këtyre mashtrimeve e përmbyll rasti më i freskët i përurimit për herë te dytë i aksit të papërfunduar rrugor Prishtinë-Mitrovice. Për të njëjten rrugë në fund të vitit 2024, kryeministri Albin Kurti e kishte prerë shiritin me ish-ministrin e Infrastrukturës Liburn Aliu dhe Zv. ministrin Hysen Durmishi. Ndërkohë, sot e ka bërë të njëjtën gjë me ministrin Dimal Basha.
Me këto akte kjo Qeveri po tregon se e ka shndërruar banalitetin në model qeverisës. Dhe se i trajton qytetarët e Kosovës, asgjë më shumë, se të pushtuar nga një amenzi kolektive, të cilët mund t’i manipulojë sa herë e sheh të udhës sipas nevojave të momentit.