Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kur akademizmi përdoret si mbulesë për propagandë

Kur akademizmi përdoret si mbulesë për propagandë

Shkruan: Afrim Kasolli

Nëpërmjet një shkrimi në formën e thirrjes në rrjetin e tij social, Akadamik Rexhep Qosja, sot paska deklaruar se pse do ta ushtrojë të drejtën e tij demokratike në zgjedhjet e 9 shkurtit, pas më shumë se dy dekada abstenim në këtë proces.

Ai shkruan se do të bëhet pjesë e kësaj ngjarje në mbështetje të pushtetit aktual, e para për shkak të, “ligjit që ka miratuar Qeveria me Kryeministër Albin Kurtin për sekuestrimin e pronës, pasurisë së paligjshme, korruptueshëm të fituar, dhe e dyta fushata zgjedhore e opozitës” .

Është e drejtë e Rexhep Qosjes, sikur se e çdo qytetari të Kosovës, që ta votojë secilën parti që e vlerëson se është me dobishme sipas tij për Kosovën. Mirëpo, ajo që është shqetësuese mbetet arsyetimi i tij i sipër cekur.

E para ligji të cilin Akademik, Qosja e konsideron si shpëtim për Kosovën është shpallur anti-kushtetues. Me këtë rast, Rexhep Qosja vetëm sa e ka dëshmuar që është rob mental i asaj mendësie populiste të drejtësisë popullore dhe jo dhe jo normave kushtetuese, siç janë ndërtuar demokracitë liberale. Mbase, e ka nga trashëgimia e tij, ku e drejtë për të është vetëm ajo që e kumton pushteti si të tillë.

E dyta për të është fushata e partive opozitare. Këto të fundit mund të kritikohen për shumëçka, por të paktën deri më sot para qytetarëve të Kosovës, ato kanë ofruar një program qeverisës në dallim nga partia në pushtet, që krejt për cka është dalluar është fakti se e ka shndërruar këtë ngjarje në arene të fyerjeve dhe polarizimit ndaj opontetëve të tij, duke operuar vetëm në terma reaktivë. Dhe është kjo qasje që dikur filozofi i njohur gjerman, Friedrich Nietzsche, në veprën “On the Genealogy of Morality” e quante morali i skllavit. Sepse ky i fundit, për të ekzistuar, gjithmonë ka apetit për një botë të huaj armiqësore. Ai ka nevojë , nga ana fiziologjike, për stimuj të jashtëm për të vepruar, prandaj edhe veprimi i tij është vetëm reagim” ngase i vetmi ushqim i tij është “ndenja e hakmarrjes imagjinare”.

Ndërkohë, sa i përket nepotizmit dhe partizimit të shtetit që ka ndodhur në këtë mandat nuk ka dëshmi më të madhe se përgjimet telefonike të figurës gri të këtij entiteti, Dejona Mihali, me ih-kryeshefin i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi.

Se ky pamflet i Rexhep Qosjes është një propagandë e pastër në favor të pushtetit aktual dhe nuk ka të bëjë asgjë me të vërtetën, e pasqyron besimi i tij se “bisedimet me Beogradin Albin Kurti i quan të pashmangshme e të rëndësishme, duke i kushtëzuar me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë”

Ky konstatim tregon, se ose Rexhep Qosja nuk e lexuar Marrëveshjen bazike të Brukselit dhe Aneksin e Zbatimit në Ohër, ose e ka lexuar dhe nuk e kuptuar, apo mbase neglizhon përmbajtjen e saj nga dëshira vetëm për të sajuar argumente të paqena. Sepse me qeverisjen e Albin Kurtit për herë të parë Kosova është pajtuar se nuk ka nevojë të njihet nga Serbia, ngase, ato do të veprojnë nga “fakti historik dhe pa paragjykuar pozicionet e ndryshme të palëve në lidhje me çështjet themelore, duke përfshirë çështjet e statusit”.

Rexhep Qojsa ka vuajtur kohë të gjatë nga malli që të konsiderohet si ndërgjegje e kombit. Që ta ketë auroelën e figurës së intelektualit që e drejton një shoqëri në saje të largpamësisë së tij mistike e “shqisës së gjashtë” , nga e cila edhe e njeh logosin e historisë. Shekulli 20-të i ka diskredituar këto mite romantike. Ngase në vend të profecisë së rrejshme të intelektualit, ndërtimi i institucioneve demokratike nëpërmjet kontrollit ligjor është dëshmuar si rruga e vetme që i mbron shoqëritë njerëzore nga sundimi një lideri. /TV Arbëria