Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > KUR AGRESORI MASKOHET SI VIKTIMË – Çka fshihet pas narrativës anti – NATO të Serbisë?

KUR AGRESORI MASKOHET SI VIKTIMË – Çka fshihet pas narrativës anti – NATO të Serbisë?

Shkruan: Arben Fetoshi

Edhe në 26 vjetorin e bombardimeve të NATO-s kundër barbarisë, siç vlerësonte Tony Blair në fjalimin “Doktrina e Komunitetit Ndërkombëtar” më 22 prill 1999 në Chicago, Serbia vazhdon të mos kërkojë falje për gjenocidin dhe të kamuflohet si ‘hienë politike’ në linjë me qëllimet e Rusisë.

Me retorikën e ‘viktimës’, ajo tenton të fshehë spastrimin etnik dhe vrasjet e masakrat në Kosovë, të cilat sipas organizatave për të drejtat e njeriut “nuk i lanë alternativë” ndërhyrjes së NATO-s (Under Orders: War Crimes in Kosovo”, HRW, 2001).

Duke e dënuar aleancën mbrojtëse të Kosovës, Shqipërisë e Kroacisë si “kërcënim dhe shkelje” të marrëveshjes për kontrollin e armëve (1996), Vuçiq e “harron” armatosjen e Serbisë në vitet e fundit, ndërsa duke i “ankuar” qytetarët serbë për pasojat e bombardimeve, Serbia ushqen “ndjenjën e padrejtësisë”, si një parakusht për skenarët e ri të dhunës.

Serbia si zgjatim i Rusisë

Për shkak të fushatës së krimeve dhe spastrimit etnik në Kosovë, më 24 mars 1999 NATO filloi bombardimet kundër caqeve ushtarake të RFJ-së. Pasojat e agresionit të saj në Slloveni, Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë, e kishin ndërgjegjësuar komunitetin ndërkombëtar për domosdoshmërinë e reagimit të ashpër kundër Millosheviqit. Krimet monstruoze në Kosovë me mbi 13 mijë civilë të vrarë e të masakruar, gati një milion të dëbuar me dhunë dhe mijëra gra e vajza të dhunuara, e legjitimuan “përdorimin e forcës ndaj shkeljeve masive të të drejtave të njeriut”, vlerësonte asokohe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan. Ndërkaq, Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, theksonte në kujtimet e saj se nuk mund të lejonin spastrimin etnik në zemër të Evropës (Albright, M. (2003). Madam Secretary, Miramax Books). Zëdhënësi i NATO-s në atë kohë, Jamie Shea, sipas të cilit, ndërhyrja i kishte paraprirë doktrinës “Përgjegjësia për të Mbrojtur”, sot e kujton rëndësinë e reagimit të shpejtë dhe të fuqishëm të aleancës.
Mirëpo, pavarësisht të vërtetës – ashtu si në çdo përvjetor – Serbia vazhdon të ankohet për “agresionin” dhe “padrejtësinë historike”, si një narrativë strategjike për mohimin e krimeve në Kosovë dhe për portretimin e NATO-n si “armike” të popullit serb. Në këtë pikë godet edhe reagimi i sotëm i Milorad Dodik – i sanksionuar nga SHBA-të dhe i kërkuar nga drejtësia në Bosnjë-Hercegovinë për shkak të veprave kundër rendit kushtetues – i cili, duke përdorur retorikë emocionale, e denoncon NATO-n si “aleancë kliminale që ka hedhur bomba mbi fëmijët”.

Retorikë të tillë dhe narrativa manipuluese të përhapura edhe nga kisha, Serbia ka përdorur vazhdimisht për ta thelluar armiqësinë e qytetarëve me Perëndimin dhe për t’i forcuar lidhjet me Rusinë. Duke e konsideruar provokim dhe kërcënim çdo marrëveshje apo zgjerim të NATO-s e të BE-së, ajo manifeston frikë nga demokracia dhe zgjatim të interesave gjeopolitike ruse në Ballkan. Ndonëse kamuflohet si e moderuar, ajo vazhdon agresionin kundër Kosovës, vazhdon të armatoset dhe ndërhyn në Bosnjë-Hercegovinë e Mal të Zi. Kjo do të thotë se retorika e saj kundër NATO-s nuk është thjesht “zemërim historik”, por përgatitje për skenarë të ri dhune e destabilizimi. Përmes propagandës së viktimës, ajo po e “rimbush armën” për qëllimet e vjetra ekspansioniste.
Prandaj, beteja për të vërtetën nuk është e ndarë nga beteja për paqen në rajon: neutralizimi i kësaj propagande nuk është thjesht detyrë për të vërtetën historike, por edhe imperativ për të ardhmen pa gjak.

Serbia në rolin e hienës

Duke pasur parasysh vendosmërinë e NATO-s dhe aleancat e reja kundër kërcënimit serbo-rus në Ballkan, Serbia e vitit 2025 është më shumë një hienë politike se sa një një armik i hapur – një aktor që shtiret si viktimë, që ulërin nëpër forume ndërkombëtare për “drejtësi”, por që në prapaskenë kërcënon, nxit tensione dhe përgatitet për të goditur kurdo që nuhat dobësinë e kundërshtarit. “Ulërimat” e Serbisë kundër marrëveshjes së mbrojtjes ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë (18 mars 2025) shfaqin frikën e saj, jo nga sulmi, të cilin e din se nuk do të vijë, por nga dështimi i planeve “grabitçare”.

Pas marrëveshjes e cila përfshin: – bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes, – ndërveprimin në edukim, trajnim e stërvitje, – rritjen e qëndrueshmërisë kundër kërcënimeve hibride, dhe – mbështetjen për integrimin euro-atlantik, nënshkruar nga ministrat e Mbrojtjes të tri vendeve në Tiranë, presidenti serb, Vuçiq akuzoi Shqipërinë dhe Kroacinë për fillimin e një “gare armatimi” në rajon, duke bashkëpunuar me institucionet e Kosovës. Ministri i Mbrojtjes, Branislav Gashiq e quajti marrëveshjes “provokim” që bie ndesh me përpjekjet për sigurinë rajonale. Ndërkaq, Ministria e Jashtme u kërkoi Tiranës dhe Zagrebit shpegime për përfshirjen e Kosovës, duke vlerësuar se marrëveshja minon stabilitetin rajonal. Mirëpo, këto zhurma të Beogradit morën përgjigje të shpejtë e të qartë nga Kroacia dhe Kosova, përmes ministrit të Mbrojtjes, Ivan Anusiç dhe presidents Vjosa Osmani, që theksonin se “ka kaluar koha kur pyetej Serbia”.

Ankesat e Vuçiqit për marrëveshjen e dy vendeve të NATO-s dhe Kosovës që është brenda orbitës së saj përmes KFOR-it, “nuk kaluan” as te Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë takimit në Bruksel. Serbia e di se marrëveshja nuk paraqet kërcënim ndaj saj, por strategjia e saj kërkon të bëjë rolin e viktimës, të shtiret e të shmanget si hienë, duke përgatitur terrenin për sulmin e ri në emër të mbrojtjes.
Vazhdimi i propagandës perfide kundër NATO-s ndërsa kamuflohet si “e pafajshme” dhe armatosja e saj agresive ndërsa sillet si “viktimë”, e vërtetojnë këtë rol të saj të koordinuar me Rusinë, për apetitet e tyre gjeopolitike.

Për këtë arsye, përvjetori i ndërhyrjes së NATO-s është një datë për ta kujtuar domosdoshmërinë e saj.
Narrativat që synojnë ta shndërrojë agresorin në viktimë nuk janë vetëm manipulim – janë kërcënim për të ardhmen. Pikë.
#propaganda #serbia #luftahibride

Autori është Drejtor i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”