Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Art > Kuptimi feminist i rebelimit të Antigonës

Kuptimi feminist i rebelimit të Antigonës

Siç dihet, njëri nga krijimet më të njohura të universit letrar dhe kulturor të botës antike, pa dyshim se mbetet vepra e njohur e Sofokliut (496-406 p.e.s), të titulluar Antigona. Supozohet se dramaturgu i njohur grek, e ka shkruar këtë dramë diku rreth vitit 441 para Lindjes së Krishtit, dhe më të cilin Sofokliu ishte shpërblyer me çmimin e parë në festivalin e dionisian.  Në këtë dramë Antigona rikthet në Tebë. Kurse dy vëllezërit e saj Polinisi dhe Eteocle-s, ishin vrarë në luftën ndërmjet Argos dhe Tebes.

Ndërkohë, Kreoni tashmë si sundimtar i Tebes me anë të një dekreti shtetëror urdhëron që Polinsit të shpallur si tradhtar t’i mohohet e drejta varrimit.  Antigona refuzon ta zbatojë këtë urdhër. Ajo përkundër vullnetit të sundimtarit, vendos që ta varros si duhet vëllain e saj. Për këtë rebelim ajo ndëshkohet dhe vdes. Kësaj serie të vdekjeve i bashkohet edhe Haemon, i dashuri i Antigonës që ishte edhe i biri i Kreon-it. Kurse, nga pikëllimi për humbjen e djalit të saj, në fund edhe Eurydic-e, gruaja Kreonit bënë vetëvrasje, duke lënë këtë të fundit vetëm me pushtetin e tij.

Sidoqoftë, përtej këtij përshkrimi të shkurt një sërë dilemash dhe pyetjesh imponohen mbi atë se çka përfaqëson kjo heroinë tragjike në veprën e Sofokliut. A mund të gjenden në aksionet e saj aktet e para të rebelimit feminist? Apo thjesht veprimet e saj ishin vetëm shprehje e obligimit të paracaktuar për të mbrojtur nderin e familjes?

Në këtë drejtim, që ka për synim zgjerimin e imagjinatës dhe horizontet e betejës feministe, mbase nuk është e rastësishme që teoricienet e sikur se, Luce Irigaray, apo Judith Butler i janë rikthyer veçanërisht kësaj vepre tragjike antike.

E para në një sërë punimesh që mund të gjenden në veprën “Ethics of Sexual Difference” ka treguar se si te Antigona e Sofokliut, mund të vërehen disa prej impulseve të para të rebelimit feminist.

Madje këtë vepër, pohon Luce Irigaray, nuk duhet ta lexojmë ashtu siç e ka interpretuar Hegeli: si konflikt ndërmjet dy të drejtave, atë të shtetit që përfaqësohet nga Kreoni, i cili vendos që trupi i vdekur i Polinisit të shndërrohet në ushqim për korbat duke ia mohuar të drejtën e varrimit, dhe refuzimit të Antigonës për t’iu bindur këtij dekreti për të mbrojtur të drejtën e familjes.

Por, në thesaret e kësaj drame gjenden të pleksura parimet e revoltës së “femintetit kundër rregullave të etatizmit dhe anti-autoritarzimit”. Ky konflikt që u lind nga shpërfillja e Antigonës ndaj urdhrave të Kreonit, më shumë se nga detyrimi për ta mbrojtur të “drejtën hyjnore të familjes” në të vërtetë u “provokua” nga vendosmëria e saj, për të mos i ndjekur verbërisht kufizimet legale shtetërore të ndërtuara mbi modelin e reprezentimit politik patriarkal. Sepse, me aktin e mosbindjes, Antigona, del nga roli i tradicional i gruas dhe konfrontohet në terrenin e jetës publike.

Prandaj, pohojnë ato kjo dramë mbetet inspiruese edhe sot e kësaj dite. Mesazhi që na e përçon është i qartë: se vetëm duke e radikalizuar përpjekjen kundër kufijve të përfaqësimit politik autoritar me sfond patriarkal krijohen kushtet për trajtim të barabartë gjinor dhe për ndërtim të një rendi të mirëfilltë demokratik.

/TV Arbëria

 

 

Themes by WordPress