Kupa e Shqipërisë 2022-2023 do të rikthehet këtë javë me ndeshjet e para të vlefshme për fazën e 1/8-ave. Sot do të luhen pesë ndeshjet e para, ku në fushë do të zbresin disa çifte interesante, ku përballë do të vihen edhe shumë skuadra të kategorisë “Abissnet Superiore”.
Lushnja-Tirana, Korabi-Partizani, Bylis-Vllaznia, Dinamo-Kastrioti dhe Tomori-Laçi do të përballen fillimisht më duelet që startojnë të gjitha në orën 13:00, ndërsa të mërkurën do të luhen sfidat Apolonia-Kukësi, Erzeni-Teuta dhe Skënderbeu-Egnatia, që nisin po në ora 13:00.
Sakaq, ndeshjet e kthimit të këtij turi do të luhen më datën 2 shkurt. Sipas kalendarit të përcaktuar tashmë ndeshjet e para të turit të 1/4-at do të zhvillohen më 1 mars, ndërsa ndeshjet e kthimit më 15 mars.
Ndeshjet e turit gjysmëfinal do të luhen në datat 26 prill dhe 10 maj, kurse finalja e madhe e Kupës së Shqipërisë për këtë edicion do të luhet më datën 1 qershor. /TV Arbëria