Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Sport > ​Kupa e Kosovës/ Përfaqësuesit e klubeve njëzëri: Duam finalen

​Kupa e Kosovës/ Përfaqësuesit e klubeve njëzëri: Duam finalen

Shorti i gjysmëfinaleve të Kupës së Kosovës në futboll ka vendosur përballë njëra-tjetër Llapin dhe Gjilanin, që do të jetë sfida kryesore e kësaj faze, ndërsa Prishtina do të luajë kundër Vushtrrisë.

Pas shortit, trajneri i Llapit Tahir Batatina ritheksoi se synimi i skuadrës së tij është që ta fitojë sërish Kupën e Kosovës, ndërsa u shpreh se është i kënaqur me shortin pasi nuk dëshironte të ballafaqohej me Vushtrrinë.

Batatina: Nuk e doja Vushtrrinë në finale, më mirë më Gjilanin

“Llapi gjithmonë është ballafaquar me skuadra të forta, asnjëherë nuk kemi arritur në finale si outsider… Unë mendoj se është një test i vështirë, dy skuadrat kemi bagazh, kemi cilësi, të dy i kanë përparësitë e veta si Gjilani si Llapi, mendoj do të jenë dy ndeshje të mira, interesante mes dy skuadrave, cila do të jetë më e mira, cila do ta ketë ditën e vet do ta fitojë ndeshjen…Prapë jam i lumtur që kam arritur ta kem shortin me Gjilanin apo Prishtinën, mos ta kem me Vushtrrinë dhe të shkojmë në finale, ndoshta nëse e do fati edhe ta di që kam arritur në finale që tri vite radhazi duke i mposhtur rivalët e fortë dhe asnjëherë me rivalë të dobët.”, tha Batatina.

Nga ana tjetër, drejtori sportiv i Gjilanit, Drilon Sylejmani e konsideroi si short shumë të vështirë pasi, sipas tij, Llapi është një skuadër me traditë të mirë në Kupën e Kosovës, por përkundër kësaj, ai ka thënë se synojnë ta mposhtin skuadrën e trajnerit Tahir Batatina dhe të kalojnë në finale të Kupës së Kosovës.

Sylejmani: Llapi rival i vështirë, por ne duam finalen

“Natyrisht një short jo i lehtë duke pasur parasysh edhe historikun e skuadrës së Llapit në vitet e fundit në rrugëtimin drejt Kupës së Kosovës, megjithatë, ashtu siç e kemi nisur këtë kampanjë, ashtu synojmë edhe ta vazhdojmë me të vetmin qëllim dalja në Evropë duke mos e mohuar që Kupa është një tjetër objektiv i yni. Do të jetë një ndeshje jashtëzakonisht e vështirë për ne, megjithatë duhet pranuar që kalimi në finale të Kupës së Kosovës është një objektiv për ne.”, theksoi Sylejmani.

Prishtina ishte më me fat në short, së paku në letër pasi do të ballafaqohet me Vushtrrinë, por përfaqësuesi i klubit bardh e kaltër, Kushtrim Sopa, theksoi se rivali i tyre nuk ka arritur rastësisht në finale, andaj duhet respektuar dhe pasur kujdes maksimal në ballafaqimin me ta në të dy ndeshjet

Sopa: Jo rastësisht Vushtrria është në gjysmëfinale, andaj duhet të kemi kujdes

“Vet fakti që Vushtrria është gjysmëfinaliste secila e ka bërë rrugëtimin e vet, ka qenë rrugëtim i gjatë deri në gjysmëfinale ne e vlerësojmë çdo përballje të vështirë dhe do ta respektojmë maksimalisht edhe Vushtrrinë sikurse do ta respektonim edhe Llapin dhe Gjilanin sepse neve na takon si klub i madh ta respektojmë çdo klub të futbollit…Qëllimi i klubit është dalja në Evropë këtë sezon dhe pastaj të shohim, të ristrukturohemi tutje, ta bëjmë skuadrën ma kompetitive për edicionet e radhës dhe të kthehemi aty ku i takon Prishtinës.”, tha Sopa.

Ndeshjet e para të fazës gjysmëfinale do të zhvillohen më 5 prill, ndërsa ato të kthimit më 19 prill.

/TV Arbëria

Powered by WordPress