Shkruan: Afrim Kasolli
Se presidentja Osmani ka dallime me Qeverinë e Kosovës në politikën e jashtme është dëshmuar disa herë. Dhe po ashtu se krerët shtetërorë nuk konsultohen për t’i harmonizuar qëndrimet diplomatike të shtetit, veçanërisht sa i përket dialogut me Serbinë po ashtu nuk është risi.
Ajo ishte revoltuar tej mase publikisht kur ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, pak qaste para fillimit të takimit të Këshillit Ministror të Këshillit të Evropës, i kishte dërguar letër zotuese kësaj organizate, se shteti i Kosovës do ta dërgonte në Gjykatën Kushtetuese një draft-statut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Me këtë rast e para e shtetit, kishte deklaruar se kjo letër dërguar në KiE, nuk ishte konsultuar dhe dakorduar me të, si përfaqësuese e politikës së jashtme. Për më shumë një veprim i tillë. përfaqësonte një shpërfillje flagrante të zotimit për zbatim komplet të Marrëveshjes bazë të Brukselit. Sepse në këtë mënyrë i hapej rruga e nxjerrjes së këtij entiteti nga Pakoja, pat deklaruar Presidentja.
Se politika e jashtme e shtetit të Kosovës ndërmjet institucionit të Presidentes dhe Qeverisë së Kosovës, i ngjason sot “Kullës së Babelit” e dëshmoi edhe dje e para e shtetit në një intervistë në Zëri të Amerikës. Sa i përket kërkesave ndërkombëtare lidhur me obligimin e shtetit të Kosovës për ta zbatuar Asociacionin, është e vërtetë se ajo përdori një gjuhë gati identike si të kryeministrit Kurti, duke pohuar se “ne nuk mund t’i injorojmë nenet 1 deri 6 dhe të kërcejmë vetëm tek neni 7 dhe të kërkojmë vetëm zbatimin e një neni. Kosova nuk po thotë që nuk do të formohet Asociacioni”.
Mirëpo, përtej kësaj ngjashmërie, duhet kujtuar faktin se Kryeministri Kurti, ka kërkuar dërgimin e draft-statutit të Asociacionit në Komisionin e Venecias si një siguresë juridike për trajtimin e mëtejmë të tij. Propozim ky po ashtu që nuk është marrë në konsideratë në shefja e shtetit. E të mos flasim për kushtet e reja të Kurtit për zhvillimin e dialogut që u injoruan plotësisht nga presidentja.
Mirëpo, dallimi më i spikatur ndërmjet këtyre dy instancave të pushtetit në Kosovë mund të konsiderohet propozimi i ri strategjik i Presidentes Osmani për dialogun me Serbinë. Ajo në mes tjerash pohoi se nëse shteti fqinj nuk” dëshiron të zbatojë pjesën e saj të marrëveshjes, atëherë ne duhet t’i rikthehemi strategjisë së viteve 2007-2008, në kohën kur bëheshin negociatat për statusin e Kosovës. Marrëveshja jonë, dakordimi ynë, ka qenë me partnerët, jo me Serbinë, sepse Serbia nuk e donte Ahtisaarin dhe neve na duhet një dakordim i tillë”. Pra sipas saj, shteti i Kosovës duhet t’i zbatojë obligimet e tij nga procesi i dialogut, pavërisht qëndrimit të Serbisë, me kusht që kjo të bëhet në koordinim dhe të vlerësohet nga vendet aleate. Kështu, kjo qasje e re mund të shërbejë si një parakusht për zhbllokimin ndërkombëtar të Kosovës. Pra, në një fare mënyre integrimi euro-atlantik i Kosovës të mos mbetet peng i sabotimeve të Beogradit”. Mbetet e partë se ky propozim a është bërë në konsultim me kryeministrin, Albin Kurti dhe kryengociatroin e Kosovës, Besnik Bislimi.
Megjithatë, këtu duhet kujtuar, se në kohën kur ishte aplikuar kjo strategji nga krerët politikë dhe institucionalë të Kosovës me Fatmir Sejdiun si mbartësin kryesor të procesit (në kabinetin e të cilit në ndërkohë shërbeu edhe Vjosa Osmani), Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, si një subjekt jo parlamentar, atëbotë e kishin kundërshtuar me çdo mjet këtë model si të dëmshëm dhe anti-kombëtar, e të cilën e sot e kësaj dite presidentja Osmani, po e konsideron si të domosdoshme dhe të nevojshëm për të dalur nga ngërçi ku është katandisur shteti.