Të gjitha qytetet ukrainase dhe Krimeja duhet që sërish të jenë pjesë e Ukrainës dhe paqe të vërtetë mund të ketë pasi të rivendosen kufijtë e shtetit, tha ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.
“Pa dallim… çdo qytet ukrainas, të gjithë duhet të jenë sërish pjesë e Ukrainës”, tha ai gjatë fjalimit përmes video-lidhjes në konferencën për sigurinë në Detin e Zi të mbajtur në Bukuresht, shkruan REL.
Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt të vitit të kaluar me urdhër të presidentit rus, Vladimir Putin. Ndërkaq, Moska kishte aneksuar paligjshëm gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014 dhe që atëherë kishte mbështetur grupe separatiste që luftonin me forcat qeveritare ukrainase në rajonin lindor të Donbasit.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, vazhdimisht ka theksuar se territori i shtetit të tij nuk do të jetë subjekt i asnjë marrëveshjeje eventuale të paqes me Moskën.
Që kur ka nisur lufta, shtetet perëndimore kanë vendosur një sërë rundesh të sanksioneve ndaj entiteteve dhe individëve rusë që ndihmojnë makinerinë ushtarake të Moskës. Ndërkaq, shtetet e NATO-s dhe shtetet e tjera vazhdimisht dërgojnë ndihma ushtarake dhe ndihmë tjetër për Ukrainën, në mënyrë që ajo të mund të përballet me forcat ruse.
Aktualisht, forcat e Moskës kanë përqendruar luftën e tyre në lindje të Ukrainës, përkatësisht luftime disamujore po zhvillohen për kontrollin e qytetit të Bahmutit, që gjendet në rajonin e Donjeckut.
Pavarësisht se beteja për Bahmutin po konsiderohet si një prej më të ashprave që nga nisja e pushtimit, Ukraina ka thënë se situata në Bahmut është nën kontroll.
/TV Arbëria