Shkruar nga Agron Hoti
Mospërfaqësimi politik i serbëve në pjesën veriore të Kosovës ia rriti dukshëm pazarin Serbisë nga Zajednica e dikurshme në tanimë Autonomi (vetëmenaxhim) si masë administrativo-politike kinse për mbrojtjen e serbëve të veriut nga Qeveria e Kosovës.
Ndërkohë, xhamijëzimi i nxitur fuqishëm nga Serbia e Rusia në Kosovë, e tanimë me të madhe edhe në diasporën tonë, solli ISIS-izimin dhe talebanizimin e përditshmërisë së një pjese të dukshme brenda dhe jashtë Kosovës, e pikërisht kjo ia rriti pazarin Serbisë për zgjerimin e tokave të kishave ortodokse në Kosovë.
Përmes këtyre dy kartave Serbia po e luan rolin e kukuvajkës siç e ka bërë gjithmonë edhe në të kaluarën, duke i thënë botës që serbët e veriut po kërcënohen nga Qeveria e Kosovës, kurse kishat serbe nga ISIS-izimi dhe talebanizimi në rritje i Kosovës dhe diasporës së saj. Kjo është zaten edhe baza binomale historike e komb-formimit serb, pra kukuvajkëzimi politik dhe fetar në funksion të zgjerimit të territoreve serbe.
Vetë këmbëngulja e bashkësisë ndërkombëtare jo më Zajednicë por në Autonomi të serbëve të veriut si dhe zgjerimin e territorit të kishave serbe të lidhura vertikalisht me Beogradin, e tregon më së miri se këto dy karta janë duke u lexuar në favor të Serbisë. Lozja e kartës së sigurisë nga Serbia se serbët dhe kishat e saj në Kosovë na u kërcënuakan nga Qeveria e Kosovës, ISIS-izimi dhe talebanizimi, është duke i dhënë përparësi të theksuar Serbisë para bashkësisë ndërkombëtare në raport me Kosovën.
Mjerisht sa më shumë që po shtyhet problemi me Serbi, aq më i madh po bëhet, bile aq i madh sa sot Kosova është nën sanksione perëndimore, kurse Serbia jo. E Serbia po ia arrin qëllimit të saj e që është shtyrja dhe mundësisht moszgjidhja kurrë e problemit me Kosovën, sepse humbëse në secilin variant po del Kosova duke e ngelur e bllokuar brenda dhe jashtë saj.