Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kujt do t’i shkonin për shtati zgjedhjet?

Kujt do t’i shkonin për shtati zgjedhjet?

Tema e zgjedhjeve të (jashtë)zakonshme vazhdon ta dominojë opinionin publik këto ditë. I tërë diskutimi mbi mundësinë e tyre mori hov nga disa intervista të kryeministrit Kurti, se ai është i gatshëm t’ia plotësojë dëshirën opozitës nëse ajo ka vullnet. Sipas të parit të qeverisë nuk mund të ketë zgjedhje të parakohshme pa opozitën. Dhe rruga drejt tyre kalon nëpërmjet shpërbërjes së Kuvendit.

Mirëpo, një kërkesë e tillë nuk ka gjetur miratim unanim në opozitë. Deri sa PDK-ja është shprehur edhe në favor të një opsioni të tillë vetëm më kusht që të shkohet në zgjedhje, me të rezervuara në këtë drejtim janë shprehur LDK dhe AAK.

Zyrtarët e së parës kanë deklaruar se zgjedhjet mund të jenë një kurth i Albin Kurtit për t’i ikur presioneve me të cilat do të mund të përballet në raport me obligimet që ka marrë edhe pushteti aktual sa i përket marrëveshjeve me Serbinë, të lehtësuara nga Bashkimi Evropian.

Dhe këtu vlen të ceket veçanërisht kërkesa për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Ndërkohë, AAK ka deklaruar, se vetëm mocioni i saj i mosbesimit ndaj Qeverisë është rruga e duhur për zgjedhje. Përndryshe, sipas kësaj partie shpërbërja e Kuvendit i konvenon vetëm pushtetit, prandaj inicimi i kësaj procedure nga PDK-ja i shërben pushtetit. Pra, përfaqësues të pushtetit e kanë përjashtuar si dorëheqjen ashtu edhe votimin pro mocionit të propozuar nga secila parti opozitare.

Kjo kakofoni tregon se ato nuk po mund ta gjejnë rrugën për të jetësuar atë që secila po e dëshiron. Nuk ka dyshim se zgjedhjet mund të jenë interes më i theksuar i pushtetit, sidomos pas betimit të fundit të krerëve të lartë shtetëror për ta themeluar Asociacionin (pas)pranimit të Kosovës në Këshill të Evropës.

Mirëpo, nuk është se edhe opozita nuk do t’i nënshtrohet një presioni të tillë. Tek e fundit do të detyrohen që të pajtohen në mënyrë të heshtur dhe ta mbajnë si çështje margjinale politike këtë temë nëse fillon së zbatuari para zgjedhjeve të parakohshme. Natyrisht, pas vendimit për Manastirin e Deçanit, zbatimi i obligimeve të tilla para zgjedhjeve të reja, nuk është se nuk do të ishte një goditje shtesë për pushtetin aktual. Kuptohet tash krejt sfida e këtij të fundit mbetet dilema se si ta shmang këtë presion, pa reflektuar dobësi.

/TV Arbëria

 

 

 

Powered by WordPress