Shkruan: Afrim Kasolli
Kaja Kallas do të jetë shefja e katërt e diplomacisë evropiane prej se ka filluar dialogu Kosovë-Serbi, në vitin 2010, me synim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Ky proces deri më tani është drejtuar nga Baronesha Catherine Ashton, Federica Mogherini dhe Josep Borrell. Por, megjithe këtë maratonë diplomatike përsëri mungon rezultati final.
Ndërkohë, pretendimi se me emerimin e Kaja Kallas, do te ndryshojë edhe dinamika e dilogut, do te shihet shume shpejt se eshte nje iluzion. Për më tepër, nga te gjithë pararendësit, mbase diplomatja estoneze, me se paku do te jete e fokusuar në këtë temë. Kushtet me ideale per të qenë më se shumti e angazhuar në këtë proces i kishte pasur diplomatja britanike, C.Ashton.
Pas largimit te saj nga ajo pozitë, Evropa u godit sa nga njëra krizë dhe tjetra. Brexit-i, kriza e refugjatëve, finaciare, pandemia, e deri te lufta në Ukraine, janë vetëm disa nga me te njohurat.
Si një estoneze, nuk ka dyshim se prioritet i Kaja Kallas, do të jetë lufta në Ukrainë dhe frenimi i ambicieve imperialiste të Putinit. Ngase ajo është e vetëdijshme , se nesër shteti i saj edhe pse vend anëtar i NATO-se nuk mund te jete imun nga synimet agresive të Kremlinit, nëse ky i fundit nuk ndalet në Ukraine.
Po ashtu, menaxhimi i rrezikut te dyfishte që sot e paraqet Kina për Evropën mbetet sfidë tjeter. Sepse ky vend i largët aziatik, siç shkruajne Liana Fix dhe Heidi Crebo-Rediker, në shkrimin “China’s Double Threat to Europe- How Beijing’s Support for Moscow and Quest for EV Dominance Undermine European Security” te botuar në Foreign Affairs, sot paraqet kërcënim të dyfishtë për Evropën.
Kështu, në njërën anë me anë të ekspansionit ekonomik po rrezikon ta shndërrojë tregun evropian në supermarket të mallrave kineze, kurse në anën tjetër duke e furnizuar makinën luftarake te Rusisë po e zgjat vazhdimin e luftës në kontinent dhe kështu duke e rrezikuar edhe me tej paqen dhe sigurinë evropiane. E te mos flasim per shtimin e sentimenteve te brendshme publike gjthnje e me skeptike ne shtetet e ndryshme nacionale në raport me BE-ne. Ku sa me shumë po thellohet kriza aq me tepër po rritet frustrimi në mundësitë që mund te ofrojë Unioni Evropian.
Ndërkohe, nuk dihet se cili do te jetë bilanci i zgjedhjeve presidenciale ne Amerike, ku nje fitore eventuale e kandidatit republikan, Donald Trump do të krijonte një realitet tjetër edhe ne marrëdhëniet trans-atlantike ndërmjet Uashingtonit dhe Brukselit.
E, ndodhur në mes të kësaj vorbulle, shefja e re e Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë se BE-se, mbase do ta përsëris vetëm refrenin e njohur qe palët do të duhet ta zbatojnë Marrëveshjen bazë të dakorduar në Bruksel sipas aneksit të zbatimit në Ohër dhe eventualisht per te menaxhuar tensionet qe mund te agravohen ne terren, por jo diçka më shumë. /TV Arbëria