Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Ku janë shqiptarët sot?

Ku janë shqiptarët sot?

Në ditë sikur se 28 Nëntori, krahas entuziazmit kombëtar, atmosferës ngazëlluese dhe kreshendos festive, vetvetiu shtrohen dilema dhe pandehma mbi pozicionin aktual të  shqiptarëve. Mbi suksesin, dështimet, dhe rrugëtimin e tyre historik. Dhe për më tepër se ku janë ata sot në raport më këtë datë sublime të Shqiptarisë , e cila edhe shënon momentin themeltar të shtetit të shpallur me 28 nëntor të vitit 1912 nga Ismail Qemali.

E siç dihet me këtë  datë lidhet edhe shënimi i ngritjes për herë të parë nga Skënderbeu i flamurit me shqiponjën dy krenare në kalanë e Krujës. Kurse me 28 nëntor të vitit 1955 në Prekaz të Skenderajt do të lindte edhe Adem Jashari, ai i cili me sakrificën e tij e lëvizi një komb të tërë. Po ashtu me 28 Nëntor 1997 shënohet edhe dalja për herë të  parë  në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Siç dihet, shqiptarët dolën nga Perandoria Osmane në vitin 1912, më shumë se të përgjysmuar. Shteti shqiptar nuk ia arriti që ta ketë brenda tij pjesën më të madhe të territoreve të banuara më shqiptarë edhe pse ishte i shpallur nën emrin e të gjithë tyre.

Konferenca e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913 e vulosi këtë lindje të dhimbshme dhe tragjike. Ajo ua njohu si të drejtë dhe legjitime këtë plaçkë lufte vendeve ballkanike. Kombi shqiptar mbeti i vetmuar, pa mbrojtje dhe nën mëshirën e pushtueseve të rinj. Vrasjet, shpërnguljet, dhunimet dhe krimet masive kundër pjesëtarëve të kombit, që mbetën jashtë  kufijve zyrtar të Shqipërisë u bënë realitet i përditshëm i politikave hegjemoniste të Mbretërisë së Serbisë , Malit të  Zi dhe Greqisë.

Gjatë gjithë shekullit të kaluar aspirata për korrigjimin e kësaj padrejtësie historike nuk pushoi se qeni asnjëherë si frymëzim për idealet kombëtare. Këto përpjekje kolektive më fund kulmuan me luftën e UÇK-së, e cili me ndihmën e NATO-se të prirë nga SHBA-të, rezultoi me çlirimin përfundimtar të Kosovës pas gati një shekulli të përpjekjeve titanike për mbijetesë kombëtare. Kjo odiseadë është mbushur përplot tragjedi, por njëkohësisht edhe krenari.

Kështu, pas shumë krajatave shqiptarët e filluan shekullin e ri me shpresa të reja dhe një optimizëm të jashtëzakonshëm për t’u bërë pjesë e botës demokratike perëndimore, në përputhje me amanetin e rilindasëve se “dielli për shqiptarët lind në perëndim”. Nata e gjatë e historisë u zëvendësua nga agimi i lirisë së shumë ëndërruar.

Shqipëria u bë vend anëtar i NATO-së, aleancës më të fuqishme ushtarake në histori. Po ashtu, është duke vazhduar procesin e integrimeve evropiane. Kosova e shpalli pavarësinë, u njoh nga shumë më shumë se 100 shtete. Në këtë hark kohor i konsolidojë disa nga strukturat e saj e shtetërorë që nga institucionet demokratike e deri tek policia dhe ushtria.

U anëtarësua në disa organizata ndërkombëtare, mirëpo mjerisht nuk ka arritur ta përmbyll ndërkombëtarisht ende procesin e shtetësisë, për shkak të procesit negociatave me Serbinë. Po ashtu u përmirësua pozita shtetërore, juridike dhe politike e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut. E pjesa që është duke i vuajtur më shumë pasojat e një politike armiqësore kundër shqiptarëve mbetet Lugina e Preshevës.

Ky zhvillim policientrik i shqiptarëve nuk do të thotë se tashmë shoqëritë tona po jetojnë parajsën e ëndërruar, si dhe nuk kanë probleme. Përkundrazi, secila prej tyre përballet me sfida të jashtëzakonshme. Madje kjo nuk do të thotë se as që po jetojnë në fundin e historisë. Ngase, historia mund të ketë disa përfundime dhe fillime. E çdo fund i historisë mund të jetë një fillim i ri dhe anasjelltas . Rrjedhimisht, edhe sot jemi në mes të saj.

E në këtë intermexo të historisë s’na mbetet tjetër, pos t’ua urojmë gjithë shqiptarëve kudo që janë 28 Nëntorin. Dhe t’i nderojmë përjetësisht ata që sakrifikuan gjithçka nga vetja e tyre me qëllim që brezat e ardhshëm të jetojnë në liri.

/TV Arbëria