Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Kthehet në Itali njëri nga 8 emigrantët që dje u sollën në Shqipëri

Kthehet në Itali njëri nga 8 emigrantët që dje u sollën në Shqipëri

Njëri nga tetë emigrantët që u sollën në një qendër pritjeje në Shqipëri të premten – për shqyrtim të kërkesave për azil në Itali – është kthyer mbrapsht në Itali, pasi u vlerësua si i “cenueshëm”, thanë të shtunën një delegacion i aktivistëve italianë dhe ligjvënësit që vizituan qendrën.

Emigranti nga Egjipti u diagnostikua me “probleme psikike”, prandaj ishte e pamundur që ai të mbahej në qendrën e pritjes në Gjadër, tha njëri prej aktivistëve.

Tani për tani, vetëm shtatë emigrantë – pesë nga Bangladeshi dhe dy nga Egjipti – ndodhen në qendrën e pritjes në Shqipëri.

Grupi prej tetë emigrantësh ishte i dyti që u dërgua në Shqipëri prej se qendrat e pritjes filluan punën në tetor, sipas marrëveshjes së arritur mes Italisë dhe Shqipërisë vitin e kaluar.

Grupet për të drejtat e njeriut dhe organizatat joqeveritare e kanë kritikuar këtë marrëveshje, duke e cilësuar si precedent të rrezikshëm që nuk është në përputhje me ligjin ndërkombëtar, raporton REL.

Marrëveshja lejon që deri në 3.000 emigrantë – që kapen nga roja bregdetare italiane në ujërat ndërkombëtare çdo muaj – të dërgohen në Shqipëri, ku do të vlerësohen për fitimin e azilit në Itali, apo kthimin mbrapsht në vendet e tyre.

Italia është pajtuar t’i mirëpresë emigrantët që fitojnë azilin, ndërsa atyre që nuk u pranohen kërkesat për azil, dëbohen drejtpërdrejt nga Shqipëria.

Powered by WordPress