Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Kthehen diskutimet për Presidentin, Kurti mbërrin në Kuvend për takimin me Abdixhikun

Kthehen diskutimet për Presidentin, Kurti mbërrin në Kuvend për takimin me Abdixhikun

Kryeministri Albin Kurti ka mbërritur në Kuvend, aty ku pas pak pritet të fillojë një takim i tij me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Ky do të jetë takimi i parë për çështjen e Presidentit, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila dha një afat prej 34 ditësh për zgjedhjen e shefit të ri të shtetit.

Gjykata Kushtetuese vendosi më 25 mars që Presidenti të zgjidhet në një afat prej 34 ditësh, duke e shpallur pa efekt juridik një dekret të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.

Kurti para disa ditësh kishte paralajmëruar se t’u bënte ftesa për takime kryetarëve të partive opozitare. Por përpara kësaj, ai thoshte se i nevojiteshin “konsultimet e brendshme”, të cilat thoshte se ende nuk kishte pasur kohë t’i bënte.

Ai ka thënë se “nuk është mirë të jemi veçse 80 apo 81” deputetë, por “rreth 85”, për zgjedhjen e Presidentit të ri.

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu u bë të shtunën ushtruese e detyrës së Presidentes – detyrë që mund ta ushtrojë maksimumi 6 muaj – ndërsa Vjosa Osmani përfundoi mandatin presidencial pesëvjeçar.

Mundësia që Osmani të rizgjidhej presidente duket se u hodh përfundimisht poshtë më 5 mars, kur partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje njoftoi se për shef të shtetit e kishin propozuar Glauk Konjufcën, ministrin e Punëve të Jashtme.