Drejtori i TV Arberia, Qëndrim Kryeziu, ka kritikuar sot hapur veprimet e Korporatës Energjetike të Kosovës dhe ZRrE-së, duke i cilësuar si dëshmi të një plaçkitjeje ndaj qytetarëve.
Në një reagim të tij, Kryeziu tha se, edhe pse KEK Sh.a ka siguruar se nga viti 2019 nuk ka ndryshuar tarifat dhe nuk ka përfituar nga shtrenjtimi i çmimit të energjisë, realiteti tregon diçka tjetër. “Shtrenjtimi i rrymës nuk ka ardhur për nevojat e prodhuesit, por për përfitimet e tregtarëve dhe, sipas Kryeziut, të mafies energjetike rajonale, në krye të së cilës qëndron ZRrE-ja me Albin Kurtin”, tha ai.
Kryeziu theksoi se aktualisht çmimi i rrymës së prodhuar në Kosovë është rreth 30 euro për MWh, ndërsa ai i importuar arrin mesatarisht deri në 150 euro për MWh. Sipas tij, kjo shpjegon pse edhe gjatë muajve të verës, kur nevojat për energji mund të plotësohen vetëm me prodhim të brendshëm, Kosova vazhdon të importojë rrymë, duke rritur përfitimet e kompanive të shpërndarjes energjetike dhe duke u shkaktuar humbje të qytetarëve.
Qëndrimi i Kryeziut vjen në një kohë kur po planifikohet rritja e katërt e çmimit të energjisë, duke nxitur debate të forta mbi menaxhimin e sektorit energjetik në vend.