Kadri Kryeziu, ish-nënkryetar i Gjykatës Kushtetuese thotë se zgjedhjet e jashtëzakonshme janë rrugëdalja e vetme kushtetuese.
Sipas Kryeziut, hartuesit e kushtetutës kanë konkluduar që në rastet kur të zgjedhurit e popullit dështojnë të funksionalizojnë ndonjërin nga pushtetet politike të përcaktuara me kushtetutë, vendimmarrja duhet t’i kthehet sovranit, pra popullit të Kosovës.
“Hartuesit e kushtetutës nuk e kanë imagjinuar dot mundësinë teorike që deputetët e zgjedhur të mos votojnë për konstituimin e shtëpisë së tyre. Gjithsesi, për çdo gjë ekziston hera e parë dhe çdo Republikë e re kalon në sfida të ndryshme gjatë konsolidimit të vet.”, ka shkruar Kryeziu.
Sipas Kryeziut, Kushtetuesja ka të drejtë ta autorizojë Presidenten t’i shpallë me automatizëm zgjedhjet e jashtëzakonshme.
“Duke u nisur nga parimi që mos funksionalizimi i njërit nga pushtetet e ndara politike (Kuvendi, Qeveria, Presidenti i Republikës) e rrezikon parimin kushtetues të ndarjes dhe balancës së pushteteve, si dhe duke e ndjekur parimin tashmë të përcaktuar që dështimi për të funksionalizuar një pushtet politik të përcaktuar me kushtetutë nënkupton kthimin e mandatit te sovrani, pra populli i Kosovës, Gjykata Kushtetuese ka të drejtë ta autorizojë Presidentin e Republikës që, në rast të skadimit të afatit 30 ditor, me automatizëm të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme.”, ka shkruar ai.