Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kryeziu: Vetëvendosje po masakron procesin zgjedhor – PDK duhet ta ndalë këtë

Kryeziu: Vetëvendosje po masakron procesin zgjedhor – PDK duhet ta ndalë këtë

Biznesmeni Qëndrim Kryeziu ka reaguar sot lidhur me zgjedhjet e jashtëzakonshme të cilat pritet të mbahen në muajin dhjetor, duke deklaruar se Partia Demokratike e Kosovës duhet të fokusohet më pak në datën e votimit dhe më shumë në përgatitjen për përballje me, siç i quajti ai, abuzimet e qeverisjes aktuale.

Kryeziu tha se për PDK-në prioritet duhet të jetë zbardhja e asaj që e quan “vjedhje industriale të votave në Mitrovicë”.

Sipas tij, “PDK nuk duhet të ndalet së denoncuari vjedhjen industriale të votave në qytetin e Mitrovicës,” duke shtuar se partia duhet “të sigurojë se ky skenar abuziv nuk do të përsëritet në nivel nacional, sepse është dhunim flagrant i vullnetit demokratik”.

Duke kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje, Kryeziu tha se qeveria aktuale “nuk do të heqë dorë nga masakrimi i procesit elektoral, nëse nuk ka dikush që e kufizon”, duke e konsideruar PDK-në si subjektin që duhet ta marrë këtë rol.

Në reagimin e tij, Kryeziu kërkoi që gjatë fushatës PDK të zbardhë, siç tha ai, manipulimet me energjinë elektrike.

“Ky abuzim nuk ka qenë asgjë tjetër pos mjet për pasurim të lidhjeve klienteliste të Martin Berishajt, në dëm të mirëqenies së qytetarëve”, tha ai.

Ai ngriti edhe një dilemë ekonomike.

“Si është e mundur që të jetë shtuar konsumi i energjisë elektrike kur nga Kosova kanë emigruar deri në 400 mijë qytetarë?”.

Sipas tij, kontradiktat në shifra “mund të jenë pasojë e një plaçkitjeje të madhe, vetëm nga lakmia për përfitim e pushtetarëve”.

Kryeziu theksoi se importet e energjisë nga viti 2021 deri në 2024, të cilat ai i vlerësoi në 4.5 miliardë euro, “kanë pasuruar ekonominë e një shteti armiqësor”, ndërsa Kosova, sipas tij, “me ato para do t’i ndërtonte dy termocentrale të reja dhe do ta fitonte pavarësinë energjetike”.

Ai u ndal edhe te diaspora që pritet të kthehet për festat e fundvitit, duke i ftuar mërgimtarët të mendojnë mirë para se të votojnë.

“Votojnë për kë të duan, edhe për Albin Kurtin nëse e shohin të arsyeshme. Por para se ta hedhin votën, le ta krahasojnë çmimin e mallrave në Kosovë me ato të vendeve ku jetojnë. Kjo rritje astronomike nuk piku nga qielli, por është rezultat i abuzimeve”.

Ai shtoi se “Albin Kurti ka qenë mashtrimi më i madh që i ka ndodhur Kosovës që nga çlirimi”.

Në fund të reagimit, Kryeziu kërkoi nga PDK-ja të rikthejë unitetin e brendshëm dhe figurat historike të partisë.

“Rikthimi i Ramiz Lladrovcit, si ‘Kampioni i Drenasit’, është një hap i parë. Duhet rikthyer edhe Fatmir Limën dhe Nismën, sepse Nisma është degë e PDK-së”, tha ai.

Ai propozoi që partia të dalë me një listë kandidatësh të rinj dhe profesionistë.

Krijimi i një liste me emra të dëshmuar të sipërmarrjes dhe investimeve do të dërgonte mesazhin se PDK nuk është subjekt i grupeve të mbyllura, por adresa e hapur e qytetarëve”.

Kryeziu e përmbylli reagimin me një paralajmërim politik.

Plotësimi i këtyre detyrave do ta shndërronte ditën e zgjedhjeve në RiÇlirim të Kosovës nga makthi ku e ka katandisur Vetëvendosja, dhe në ditë të nxjerrjes së saj në pension të përhershëm politik”.