Biznesmeni Qendrim Kryeziu ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Universitetit të Prishtinës për të nderuar presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti me motivacionin për “kontributin e tyre për ndërtimin dhe përfaqësimin e shtetit” dhe se janë “burim frymëzimi nëpërmjet shembullit të tyre ndër gjenerata”.
Në një postim, Kryeziu e cilëson këtë vendim si një “çmim i turpit” dhe e quan pjesë të lojërave për shtrembërim të historisë.
“Sikur Universiteti i Prishtinës të ishte interesuar që njëmendtë t’i nderonte ato figura që kanë dhënë një kontribut kombëtar, e të cilët kanë dalur nga ky institucion, do të mund të nisej nga ajo plejadë e ndritshme e patriotëve që u dergjën në burgjet jugosllave si dhe ushtarëve të UÇK-së që u angazhuan me tërë qënien që ne sot ta kemi lirinë dhe shtetin, e të cilin janë duke e keqpërdorur pikërisht Albin Kurti dhe Vjosa Osmani për interesa të ngushta personale”, shkruan Kryeziu.
Ai përmend emra të rëndësishëm të historisë kombëtare që sipas tij janë lënë në harresë.
“Emrat sikur ai i Ibrahim Rugovës, simbolit të rezistencës paqësore, (ndonëse sot nuk është në mesin tonë), akademik Rexhep Qosja, krijuesit unik të letrave shqipe, Adem Demaçit, simbolit të rezistencës kombëtare, (po ashtu që tashmë i takon përjetësisë), Familjes Jashari, për të cilën me të drejtë ish-kryeadministratori ndërkombëtar, Bernard Kushner, kishte thënë se ‘po të ekzistonte çmimi Nobel për liri, kjo familje do ta meritonte e para’, apo themeluesve të UÇK-së, si Azem Syla, Xhavit Haliti, Nait Hasani e deri te Hashim Thaçi, Fatmir Sejdiu, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e shumë figurave tjera ikonike, do të duhej të nderoheshin nga Universiteti i Prishtinës, para çdo kujt tjetër”.
Kryeziu nuk kurseu as kritikat për liderët aktualë: “Që çmim t’u ndajnë dy matrapazëve të skenës politike, të cilët përpos shumë dëmeve të brendshme do mbahen mend edhe për armiqësimin e Kosovës me Amerikën.”
Ai theksoi se kjo qasje përfaqëson një përçudnim të vlerave dhe i cilësoi si skandaloze heshtjen e opozitës:
“Ky përçudnim bëhet edhe skandaloz nga heshtja e partive opozitare. Lehtësia me të cilën pranohet nga këto të fundit një manipulim i tillë, dëshmon qartë se Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku e kanë vetëm një mision, se si ta pengojnë çdo kundërshtim ndaj pushtetit të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit. Madje edhe kur këta të fundit tallen me vlerat historike dhe kombëtare të vendit e kombit tonë!”.