Për një mandat të plotë qeverisës nga Albin Kurti shteti ynë ka blerë 4.5 miliard euro vetëm energji elektrike. Kështu ka deklaruar Qëndrim Kryeziu, pronar i ‘Koorporatës Kryeziu’.
Në reagimin e tij, Kryeziu ka përmendur thellimin e vazhdueshëm të deficitit tregtar, e që sipas tij, është shenjë e dobësimit të forcës konkurruese të ekonomisë së shtetit tonë.
E për këtë dështim Kryeziu thotë se vie nga keqmenaxhimi i pushtetit të drejtuar nga Albin Kurti, shkruan Tv Arbëria.
“Pa përmendur këtu thellimin e vazhdueshëm të deficitit tregtar. Vetëm për muajin shtator të këtij viti, janë importuar mallra me vlerë prej 606.2 milionë euro. Një shenjë kjo e dobësimit të forcës konkurruese të ekonomisë së shtetit tonë. Ajo po bëhet gjithnjë e më varur nga shtetet tjera të rajonit. Dhe ky dështim nuk është i rastësishëm. Por pasojë e një keqmenaxhimi të pushtetit të drejtuar nga Albin Kurti. Pa përjashtuar as qëndrimin e tij jo miqësor dhe akuzat ndaj kompanive vendore, të cilat realisht janë burimi i kryesor i mbijetesës ekonomike në vend. Por si të mos mjaftonte ky dobësim i brendshëm, po ashtu deri më sot Kosovës, i janë pezulluar deri në 613 milionë euro nga BE-ja, për shkak të masave sanksionuese. Ndërkohë, për shkak të bllokadës së qëllimshme politike, e cila realisht u shkaktua vetëm pse Albin Kurti nuk i fitoi mbi 50 për qind të votave, vendi ynë nuk po arrin t’i marr as fondet e ndara Brukseli për planin e rritjes ekonomike, që Kosovës në tërësi i takojnë 882 milionë euro, si dhe është duke i humbur mjetet e Bankës Botërore”, potencoi Kryeziu..
Më tej, i njëjti cilësoi se ky model qeverisës i Kurtit mund të përkufizohet si ‘një model ku pushteti angazhohet që të eksportohen sa më shumë që të jetë e mundur para të gatshme nga Kosova drejt vendeve tjera, si dhe bllokohen edhe ato që mund të importohen’.
“Pra që ekonomia e Kosovës të varfërohet gjithnjë e më shumë që të zhvillohen ato të shteteve fqinje. Kjo qasje vetëm në interes të Kosovës nuk mund te jetë. Të tjerat do t’i qartësojë historia”, theksoi tutje Kryeziu./Tv Arbëria.