Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kryeziu: Takimet e fshehta në Solothurn dëshmi e negociatave që i kanë kushtuar Kosovës sovranitet

Kryeziu: Takimet e fshehta në Solothurn dëshmi e negociatave që i kanë kushtuar Kosovës sovranitet

Zbulimi i gazetës zvicerane Neue Zürcher Zeitung për takimet e fshehta të përfaqësuesve të Qeverisë Kurti me Serbinë në Solothurn ka nxitur reagime të forta në opinionin publik. Qëndrim Kryeziu vlerëson se këto takime nuk përbëjnë thjesht një shkelje procedurale, por janë dëshmi e një linje të fshehtë politike negociimi me pasoja konkrete për sovranitetin e Kosovës.

Sipas Kryeziut, për vite me radhë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka zhvilluar bisedime joformale jashtë transparencës institucionale dhe pa mandat qytetar. Ai thotë se rezultati i kësaj qasjeje nuk ka qenë “normalizimi i marrëdhënieve”, por Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit – dokumente që, sipas tij, Serbia i interpreton si fitore strategjike, ndërsa Kosova si detyrime pa garanci të qarta.

“Këto nuk ishin marrëveshje pa alternativë. Ishin dhuratë politike, të paketuar si sukses diplomatik,” shkruan Kryeziu, duke shtuar se në emër të paqes është pranuar një arkitekturë që relativizon shtetësinë e Kosovës dhe i hap rrugë ndikimit serb brenda sistemit kushtetues.

Ai kritikon edhe zhvillimet në sektorin e energjisë, duke vlerësuar se e njëjta logjikë kompromisi është aplikuar edhe aty. Sipas tij, udhëzuesit dhe marrëveshjet teknike kanë krijuar një realitet ku Kosova është formalisht shtet, por praktikisht e varur, ndërsa sot tregu energjetik kontrollohet nga rrjete të fuqishme rajonale.

Kryeziu thekson se këto zhvillime janë pasojë direkte e vendimeve politike të marra në tavolina të mbyllura, pa përfshirjen dhe dijeninë e qytetarëve apo Kuvendit të Kosovës.

“Fakti që këto takime janë zhvilluar dy deri tri herë në vit, për vite me radhë, dhe janë mbajtur të fshehta nga publiku, e rrëzon narrativën e ‘politikës së re’,” vlerëson ai, duke e quajtur këtë qasje diplomaci të vjetër, të mbyllur dhe pa llogaridhënie.

Në përfundim, Kryeziu shprehet se Kosova nuk ka humbur në luftë, por po humb në negociata të fshehta, duke shtuar se Qeveria aktuale mban përgjegjësi të plotë politike për çdo cenim të sovranitetit dhe për çdo marrëveshje që, sipas tij, Serbia e feston, ndërsa Kosova e justifikon.