Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kryeziu: Rritja e re e çmimit të rrymës po e varros ekonominë e Kosovës

Kryeziu: Rritja e re e çmimit të rrymës po e varros ekonominë e Kosovës

Qëndrim Kryeziu ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së KESCO-s për rritjen e tarifave të energjisë elektrike deri në 21 për qind, duke e cilësuar këtë si një “plaçkitje të re energjetike” ndaj qytetarëve të Kosovës, shkruan TV Arbëria.

Sipas Kryeziut, paralajmërimet për shtrenjtim të ri të rrymës janë konfirmuar vetëm pak ditë pas deklarimeve të tij publike, ndërsa kërkesa tashmë është dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Ai rikujton se vetëm vitin e kaluar çmimi i energjisë elektrike është rritur për rreth 16 për qind për konsumatorët familjarë dhe deri në 300 për qind për bizneset, ndërsa rritja e re, sipas tij, do ta godasë rëndë ekonominë e vendit.

“Me këtë ngritje të re, po përgatitet të varroset përfundimisht ekonomia e Kosovës, e cila tashmë është e lënduar tej mase gjatë viteve të fundit”, ka deklaruar Kryeziu.

Ai ka akuzuar ZRRE-në dhe Qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, se po veprojnë në favor të interesave financiare të KESCO-s, në dëm të qytetarëve.

“Sipas Kryeziut, institucionet përgjegjëse po dëshmojnë se janë shndërruar në shërbëtorë të interesave të kompanisë energjetike, duke e bekuar pa hezitim këtë kërkesë të re për rritje çmimesh”, thuhet më tej në reagim.

Ai paralajmëron se pasojat më të rënda do t’i ndjejnë kompanitë vendore, të cilat, sipas tij, do ta humbin gjithnjë e më shumë konkurrueshmërinë ndaj vendeve të rajonit.

“Kjo politikë do ta shndërrojë Kosovën pothuajse plotësisht të varur nga importi, duke prodhuar më pak vende pune, më shumë shpopullim dhe shkatërrim të çdo force të brendshme ekonomike”, përfundon Kryeziu.

/TV Arbëria