Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Qëndrim Kryeziu, ka reaguar pas vdekjes së një zyrtari policor në Prishtinë, për të cilin dyshohet se ka ndërruar jetë para se të ndodhte aksidenti.
Në reagimin e tij, Kryeziu e ka cilësuar rastin si një alarm serioz për gjendjen reale në të cilën punojnë pjesëtarët e Policisë dhe Ushtrisë së Kosovës, duke theksuar se humbja e jetës së një polici aktiv për shkaqe shëndetësore gjatë detyrës nuk është rastësi.
“Ky është rezultat i drejtpërdrejtë i kushteve të rënda të punës, stresit ekstrem, orareve të gjata dhe mungesës së plotë të kujdesit shëndetësor institucional”, ka deklaruar Kryeziu.
Ai ka kritikuar institucionet për mungesë të kontrolleve periodike shëndetësore, mjekësisë preventive dhe trajtimit dinjitoz për pjesëtarët e sigurisë, duke theksuar se shteti po kërkon maksimumin nga policët dhe ushtarët, por nuk po u ofron as minimumin e nevojshëm.
Si kandidat i PDK-së, Kryeziu është zotuar se me ardhjen e PDK-së në qeverisje do të funksionalizohet Instituti i Mjekësisë së Punës, do të sigurohet sigurim shëndetësor real për pjesëtarët e sektorit të sigurisë dhe do të vendosen kontrolle të rregullta preventive.
“Jeta e policit dhe e ushtarit nuk është shpenzim, por përgjegjësi shtetërore”, ka theksuar ai.
Në fund, Kryeziu ka shprehur ngushëllime për familjen e zyrtarit policor dhe kolegët e tij, duke theksuar se ky rast nuk guxon të harrohet dhe as të relativizohet.