Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kryeziu: Qeveria të prishë menjëherë marrëveshjen me KEDS dhe KESCO, “moment historik për drejtësi energjetike”

Kryeziu: Qeveria të prishë menjëherë marrëveshjen me KEDS dhe KESCO, “moment historik për drejtësi energjetike”

Qëndrim Kryeziu ka bërë thirrje që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë masa të menjëhershme ndaj kompanive energjetike KEDS dhe KESCO, duke kërkuar prishjen e plotë të marrëveshjes me to, të cilën e cilëson si të dëmshme për qytetarët.

Sipas tij, zhvillimet e fundit rreth faturimit të energjisë përbëjnë një moment vendimtar për institucionet e vendit.

“Momenti historik i Qeverisë së Kosovës është që t’ia prishë plotësisht marrëveshjen KEDS-it dhe KESCO-s. Edhe arbitrazhi nuk do të kishte çfarë t’i bënte Kosovës në një situatë të tillë,” ka deklaruar Kryeziu.

Ai i ka bërë thirrje Qeveria e Kosovës, respektivisht kabinetit të udhëhequr nga Albin Kurti, që të veprojë pa vonesë duke angazhuar inspektorë në terren dhe duke ftuar kompani ndërkombëtare për hetim të plotë të asaj që ai e quan “vjedhja e shekullit”.

Kryeziu thekson se fenomenin e “plaçkitjes energjetike” e ka ngritur vazhdimisht, duke e konsideruar si një ndër çështjet kryesore të angazhimit të tij publik dhe elektoral.

Sipas tij, KEDS është shndërruar në një “shtet mbi shtet”, duke aplikuar tarifa jo mbi bazën e konsumit real, por mbi kalkulime që favorizojnë përfitimin e kompanisë.

“Qytetarëve dhe bizneseve u mveshen tarifa sipas interesave të kompanisë, ndërsa operacionet realizohen përmes njehsorëve që nuk garantojnë matje të drejtë,” ka theksuar ai.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga Kryeziu lidhet me mungesën e kapaciteteve të Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), e cila sipas tij nuk posedon njësi të pavarura matëse për të verifikuar sasinë reale të energjisë së prodhuar, të shitur apo të eksportuar.

“Këto mungesa e kanë shndërruar Kosovën në një parajsë financiare për KEDS-in,” ka deklaruar ai.

Kryeziu ka ngritur edhe çështjen e tensionit të energjisë elektrike, duke pretenduar se në një pjesë të madhe të territorit qytetarët nuk furnizohen me tensionin e deklaruar prej 220 voltësh.

“Sipas praktikës aktuale, në rreth 70 për qind të territorit, qytetarët marrin 160–200 volt, por faturohen për 220 volt,” ka thënë ai.

Për të ilustruar këtë, ai ka përmendur rastin e një bojleri, i cili me tension më të ulët kërkon shumë më tepër kohë për t’u ngrohur, duke rritur në mënyrë të ndjeshme konsumin dhe koston për qytetarët.

“Praktikisht, qytetarët paguajnë deri në trefish më shumë për një shërbim që nuk e marrin,” ka përfunduar Kryeziu.

Ai ka përsëritur kërkesën që marrëveshja me kompanitë energjetike të ndërpritet pa kushte dhe të nisë një proces i thellë hetimi për të garantuar drejtësi dhe transparencë në sektorin energjetik.