Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kryeziu: Qeveria Kurti po amniston gjenocidin serb në Kosovë

Kryeziu: Qeveria Kurti po amniston gjenocidin serb në Kosovë

Qëndrim Kryeziu ka reaguar ashpër ndaj Qeverisë së Kosovës, të drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, duke e akuzuar atë për amnistim politik të krimeve dhe gjenocidit serb ndaj shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë.

Në një shkrim të publikuar me rastin e 27-vjetorit të masakrës së Reçakut, Kryeziu rikujton se më 15 janar 1999, forcat paramilitare dhe policore serbe vranë 45 civilë shqiptarë të pafajshëm, një krim që u cilësua si “krim kundër njerëzimit” nga shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së, William Walker.

Po ashtu, ai përmend deklaratën e ish-presidentit amerikan Bill Clinton, i cili e kishte cilësuar masakrën e Reçakut si akt të qëllimshëm të regjimit serb për të frikësuar popullsinë civile shqiptare.

Sipas Kryeziut, 15 janari, i shpallur si “Dita e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Serbisë në Kosovë”, ka për qëllim nderimin e viktimave të politikës shfarosëse të Beogradit, ndërkohë që autorët e këtyre krimeve vazhdojnë të mos përballen me drejtësinë.

Ai kritikon ashpër kryeministrin Kurti për, siç thotë, braktisjen e premtimeve të dhëna sa ishte në opozitë, përfshirë zotimin se nuk do të hynte në dialog me Serbinë pa kërkuar falje për krimet e luftës dhe pa nisur përgatitjet për një padi ndërkombëtare për gjenocid.

Kryeziu thekson se me marrëveshjen e Brukselit, të arritur ndërmjet Kurtit dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, Kosova është pajtuar që të “kapërcejë trashëgiminë e së kaluarës”, çka sipas tij përbën amnisti politike për Serbinë, pa kërkuar përgjegjësi apo falje për krimet e kryera.