Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kryeziu: Politikë apo nderim? Futbollistët dekorohen, kampionët lihen mënjanë

Kryeziu: Politikë apo nderim? Futbollistët dekorohen, kampionët lihen mënjanë

Përmes një postimi në Facebook, Qëndrim Kryeziu ka reaguar ndaj dekorimit të futbollistëve të ekipit shtetëror të Kosovës me Medalje të Meritave nga Presidentja Vjosa Osmani. “Se sporti është njëri nga ambasadorët më të spikatur të shtetit nuk ka dyshim. Fitoret rrisin moralin, besimin dhe psikologjinë e një kombi,” shkruan Kryeziu, duke shtuar se dekorimi i humbësve ndërkohë që fitues të tjerë kosovarë mbeten të papërfillur, ngre pyetje mbi standardet e dhënies së medaljeve.

Dekorimi u bë pas humbjes së ekipit të Kosovës ndaj Turqisë në stadiumin “Fadil Vokrri” gjatë eliminatoreve për Kampionatin Botëror, me motivacionin e kontributit të tyre në avancimin e interesit shtetëror.

Megjithatë, sipas Kryeziut, shumë sportistë kosovarë si Nora Gjakova, Distria Krasniqi dhe Akil Gjakova, të cilët veprojnë në sportet luftarake, kanë sjellë vendit shumë medalje të arta dhe kurora të lavdishme nga garat ndërkombëtare, por nuk janë dekoruar me Medalje Presidenciale. Përveç Majlinda Kelmendit, e cila u vlerësua nga ish-presidentja Atifete Jahjaga, asnjëri tjetër nuk ka marrë nderime të tilla.

Po ashtu, sportistët e kikboksit, të cilët kanë fituar medalje të arta dhe të bronzta, dyshohet se nuk janë pritur ende nga Presidentja Osmani për t’u dekoruar.

Ndërkohë, ekipi i Kosovës në futboll nuk ka arritur të kualifikohet në kampionate prestigjioze botërore dhe vazhdon të përballet me sfida sportive, siç u pa edhe në ndeshjen e fundit kundër Turqisë.

Kryeziu përfundon duke theksuar: “Qasja për të dekoruar humbësit dhe për të injoruar fitimtarët nuk mund të shihet vetëm si një nderim i sportit. Kjo mund të jetë e motivuar nga llogaritje politike, duke pasur parasysh popullaritetin e futbollit dhe mundësinë e përfitimeve elektorale.”

Ky debat rikthen vëmendjen tek rëndësia e barazisë në njohjen e merituar të sportistëve dhe roli i sportit si ambasador i shtetit dhe identitetit kombëtar.