Manifestimi për nder të ditëlindjes së Atit themeltar të shtetit shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që do të mbahet më 6 maj në kryeqytet, po merr përmasa gjithnjë e më madhështore.
Ky aktivitet, i cili synon të përjetësojë në kujtesën kolektive trashëgiminë heroike dhe të lavdishme të kryeheroit kombëtar, tashmë do të përkrahet edhe nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Autori i këtij njoftimi, Qëndrim Kryeziu, ka shprehur falënderime të përzemërta për Ramën, duke vlerësuar angazhimin e tij të vazhdueshëm në promovimin dhe mbrojtjen e vlerave kombëtare – nga figura e Skënderbeut deri te lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas tij, manifestimi i këtij viti pritet të sjellë edhe befasi të shumta. Në mesin e pjesëmarrësve do të jetë trashëgimtari i familjes Kastrioti, Loris Castriota Skanderbegh II, si dhe përfaqësues të shoqatave kulturore dhe artistike arbëreshe. Gjithashtu, pjesë e kësaj ngjarjeje do të jenë edhe kryetarët e komunave arbëreshe.
Ky organizim ka për qëllim forcimin e bashkimit shqiptar, në frymën e amanetit të pavdekshëm të Gjergj Kastrioti Skënderbeu.