Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka deklaruar se nëse Lista Serbe nuk paraqet kandidat për pozitën e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, atëherë Nenad Rashiq mund të zgjidhet përmes procedurës së shortit, e cila shërben si mekanizëm zhbllokues për konstituimin e Kuvendit.
“Nëse në këtë proces Rashiq merr 61 vota, zgjedhja e tij do të ishte plotësisht kushtetuese dhe përfundimtare, pavarësisht qëndrimit të Listës Serbe”, ka theksuar Kryeziu.
Sipas tij, vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese është i qartë: nënkryetari duhet të vijë nga radhët e deputetëve serbë që kanë ulëse të rezervuara, por kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht që kandidati duhet të jetë nga Lista Serbe.
“Kushtetuta kërkon që nënkryetari i Kuvendit të vijë nga deputetët që mbajnë ulëse të rezervuara për komunitetin serb, por jo domosdoshmërisht nga Lista Serbe”, ka sqaruar Kryeziu.
Ai ka shtuar se procedura e ndjekur deri më tani nga Kuvendi ka qenë e rregullt, dhe çdo deputet serb që siguron shumicën e votave (61) është i zgjedhur në mënyrë legjitime dhe kushtetuese.