Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Qëndrim Kryeziu, ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë ndaj bijve e bijave të dëshmorëve, familjarëve të tyre dhe çlirimtarëve për përkrahjen e ofruar gjatë ditëve të fundit të fushatës.
Kryeziu theksoi se mbështetja e kësaj shtrese, të cilën e cilësoi si më fisniken e kombit, e bën të ndihet fitimtar edhe pa u përmbyllur procesi zgjedhor.
“Respekti dhe përkrahja e atyre që, me sakrificë të pashoqe, hodhën themelet e lirisë dhe të shtetit të Kosovës, përbën arritjen më të madhe jetësore. Përkujdesja ndaj familjeve të dëshmorëve dhe çlirimtarëve është obligim i secilit prej nesh”, ka deklaruar Kryeziu.
Ai ka shtuar se këtë përgjegjësi do ta bartë me përkushtim të plotë, duke u zotuar se do të vazhdojë ta kryejë këtë detyrë deri në fund, në shërbim të vlerave të luftës çlirimtare dhe të interesit të vendit.
Kryeziu ka përfunduar deklaratën e tij me falënderim të veçantë për kontributin e dhënë për kombin shqiptar dhe për shtetin e Kosovës.