Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Kryeziu: “Kurtizmi e ktheu Kosovën prapa, PDK rikthen stabilitetin dhe shtetin funksional”

Kryeziu: “Kurtizmi e ktheu Kosovën prapa, PDK rikthen stabilitetin dhe shtetin funksional”

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Qëndrim Kryeziu, ka adresuar një sërë akuzash të ashpra ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e cilësuar atë si “kryeministrin më të korruptuar që ka pasur Kosova”, shkruan TV ARBËRIA.

Në një deklaratë publike, Kryeziu e ka krahasuar modelin e qeverisjes së Kurtit me praktikat autoritare të ish-udhëheqësit filipinas Ferdinand Marcos, të njohur për kapjen e shtetit, kontrollimin e institucioneve dhe koncentrimin e monopoleve ekonomike.

“Sjellja politike e Kurtit ka reflektuar të njëjtën logjikë të centralizimit ekstrem dhe bllokimit të çdo procesi që nuk kontrollohej personalisht prej tij.
Përmes ligjit 08/L-125 dhe ndërhyrjeve të fshehta në Ligjin për Pyjet, përfshirë nenin 25 të futur natën e 26 tetorit 2023, prona publike u përqendrua në duart e qeverisë në ikje.-shtoi Kryeziu.

Kryeziu pretendon se kjo ka krijuar një mekanizëm ku një zyrë e vetme vendos për fatin e tokave, lejeve investive dhe qasjes në resurset publike, duke e konsideruar këtë si shembull të kapjes politike e institucionale. “Këto janë praktika të një qeverisjeje të orientuar drejt kontrollit, jo drejt zhvillimit”, ka deklaruar ai.

Ai ka theksuar gjithashtu se politikat e qeverisë aktuale i kanë shkaktuar vendit dëme të mëdha ekonomike, të cilat, sipas tij, llogariten në “triliarda euro”.

Kryeziu ka apeluar për një drejtim të ri politik në vend, duke theksuar se Kosova meriton stabilitet, zhvillim dhe institucione që krijojnë mundësi për qytetarët, e jo që i mbyllin ato.

“Nuk mund të jetojmë si në një mbretëri. Qytetarët meritojnë dinjitet dhe shtet funksional,” ka deklaruar ai, duke shtuar se beson se këto standarde mund të rikthehen nën qeverisjen e kandidatit të PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza.

Kryeziu, i cili garon për deputet me numrin 103 në listën e PDK-së, tha se angazhimi i tij është rikthimi i kursit zhvillimor të vendit dhe ndalja e asaj që ai e quan “qeverisje eksperimentale dhe të dështuar”.