Qëndrim Kryeziu ka reaguar ashpër ndaj vendimeve të fundit të Qeverisë së Kosovës, duke pretenduar se ato po sjellin përfitime financiare për kompani të lidhura me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan, ndërsa po dëmtojnë bizneset dhe punëtorët në vend.
Sipas Kryeziut, nga dita e sotme rreth 10 milionë euro shtesë në vit pritet të përfitojnë kompani të huaja, si pasojë e ndryshimeve që, sipas tij, janë ndërmarrë nga kryeministri Albin Kurti. Ai pretendon se rreth 800 bizneseve po u ndryshohet destinimi i vendit të punës, ndërsa deri në 800 punëtorë do të përballen me kosto shtesë për transport dhe shpenzime ditore.
Kryeziu thekson se vendimi prek edhe sektorin e shërbimeve, përfshirë kafiteritë dhe restorantet që kanë operuar pranë këtyre bizneseve, duke vlerësuar se numri i përgjithshëm i të prekurve mund të arrijë deri në 1600 persona.
Ai ka bërë edhe një përllogaritje financiare, duke pretenduar se rreth 800 minilokale, me nga 1000 euro të ardhura mujore secili, do të gjenerojnë rreth 800 mijë euro më shumë në muaj për operatorin e ri, mjete të cilat, sipas tij, më parë qarkullonin në kompani vendore si Devolli Corporation, Intereuropa dhe Prishtina 3.
Sipas Kryeziut, nëse qeveria do të ishte kundër terminaleve ekzistuese, ajo do të mund të ndërtonte një terminal shtetëror ose t’i blinte objektet aktuale, në vend që menaxhimi të kalonte tek kompani të huaja, gjë që – sipas tij – do të rezultojë me miliona euro që dalin jashtë vendit çdo vit.
Ai shtoi se, ndonëse ka konteste biznesore personale me disa nga kompanitë e përmendura, mbetet kundër çdo vendimi që dëmton ndërmarrjet që hapin vende pune në Kosovë, duke paralajmëruar ndikim negativ edhe për mijëra punëtorë dhe familjet e tyre.
Në fund të reagimit, Kryeziu ka akuzuar qeverinë për vendime të motivuara nga inate politike dhe ka bërë thirrje për, siç u shpreh ai, “çlirimin e Kosovës nga mendësia shkatërrimtare”, duke theksuar se interesat e vendit duhet të jenë mbi gjithçka.